RTSH Sport Live

Fernando Alonso kalon tek Aston Martin

  • 01/08/2022
  • |
  • Formula 1
Fernando Alonso kalon tek Aston Martin
Spanjolli zëvendëson gjermanin Sebastian Fetel, që tërhiqet në fund të sezonit

Fernando Alonso i është bashkuar “Aston Martin”-it me një kontratë disavjeçare, duke nisur nga sezoni i ardhshëm i Formulës 1. Dy herë kampioni i botës do të largohet kështu nga skuadra franceze “Alpine” në fund të sezonit aktual, për t’iu bashkuar “Aston Martin”-it, në atë që ishte e papritura më e madhe në merkaton e pilotëve në Formula 1. Alonso do të zëvendësojë kështu Sebastian Fetelin, i cili deklaroi javën e shkuar se do të tërhiqet në fund të këtij sezoni, duke hapur kështu ndërkohë edhe një vend në makinat e “Alpine”, që sipas gjasave do të merret nga piloti i ri, Oskar Piastri.

Alonso pati deklaruar të dielën, pas Çmimit të Madh të Hungarisë, se ishte i sigurt se e ardhmja e tij në Formula 1 do të ishte sqaruar kur ai të ishte kthyer nga pushimet verore në fund të gushtit. Por, një përmbyllje të shpejtë të bisedimeve me skuadrën e “Aston Martin”-it, nënkupton se ai do të ndërrojë makinë dhe do t’i bashkohet skuadrës britanike me pronar Lorenc Strollin për vitin 2023 e në vazhdim.

“Kjo skuadër “Aston Martin” ka dukshëm energjinë dhe përkushtimin për të fituar dhe prandaj është një nga skuadrat më premtuese sot për sot në Formula 1 One today”, - ka theksuar Alonso në një deklaratë për shtyp, - duke vijuar: “Askush në Formula 1 nuk po demonstron një vizion më të madh dhe një përkushtim absolut për të fituar dhe kjo paraqet një mundësi të shkëlqyer për mua.”