RTSH Sport Live

Ferrari, misteri i garës së fund

  • 23/05/2022
  • |
  • Formula 1
Ferrari, misteri i garës së fund
Është e dhimbshme të shikosh dhe të dëgjosh një motor që ndërpret punën në mënyrë të tillë

Një vërshëllimë, një zhurmë e madhe, një notë e keqe. Fundjava perfekte e Charles Leclerc pësoi një kthesë të papritur, një nga ato të pariparueshmet. Shfaqja që kishte dhënë Ferrari u shndërrua menjëherë në hidhërim të pastër. Është e dhimbshme të shikosh dhe të dëgjosh një motor që ndërpret punën në mënyrë të tillë. Dhe Lëklerkut i ndodhi në xhiron e 27-të, në një të tretën e garës së tij, kur ishte në krye, i pashqetësuar nga askush. "Jo jo jo jo jo!" bërtiti ai në radio, teksa përgatitej për ta çuar makinën e tij të kuqe në bokse. Në atë moment Charles e kuptoi se të gjitha aspektet pozitive që kishte patur deri në atë moment nuk ekzistonin më.

Ai e di se F1-75 ka bërë një hap përpara falë evolucioneve teknike të sjella në Spanjë. Lëklerk pa se skuadra kishte bërë reagres duke zgjidhur shkëlqyeshëm problemet me konfigurimin, konsumimin e gomave por fikja e motorit e bëri të kuptonte se ai është një nga ato dështimet që në Formula 1 mund të prishin logjikën dhe të përmbysin rezultatet e çmimit të madh. Dhe çdo gjë dhemb më shumë në fund kur të njëzet e pesë pikët e tua merren pikërisht nga piloti kundërshtar me të cilin ke luftuar për tre ditë dhe për më tepër quhet Max Verstappen, rivali i drejtpërdrejtë. Holandezi nga -19 shkon në +6 pikë me Leclerc, ndërsa në renditjen ekipore nga -6 në +26. Një nokaut i dyfishtë.

“Një tërheqje e tillë dhemb shumë” – tha Lëklerk, ndërsa Binotto është shprehur besimplotë se gjithçka do të rregullohet në vazhdim. Piloti tjetër i Ferrarit, Carlos Sainz po kërkon të përshtatet me një makinë, me të cilën ende nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët. Gjë të cilën piloti spanjoll e ka pranuar në fund të garës. Ndërsa rikthehet fuqishëm Mercedes, madje me një pilot në podium. Tashmë Leclerc e Ferrari e kanë mendjen në Montecarlo, ku do të garohet të dielën e ardhshme.