RTSH Sport Live

Ferrari nuk ka besueshmëri

  • 13/06/2022
  • |
  • Formula 1
Ferrari nuk ka besueshmëri
Inxhinierët në Maranelo po kërkojnë shkaqet e dështimit në Baku

Red Bull arrin një fitore të dyfishtë në Baku, ndërsa Ferrari një humbje të dyfishtë. Të dyja makinat F1-75 nuk arrijnë të përfundojnë garën për shkak të besueshmërisë së motorit. Azerbajxhani ka prishur planet për botërorin e Ferrarit dhe vendos kandidaturën e Verstappen-it për kampion bote. Dështimi i motorit për Leclerc dhe problemet hidraulike te Sainz e kanë shqetësuar shumë drejtorin e ekipit Mattia Binotto: "Këto dy dështime na penalizojnë shumë.  Besueshmëria është një shqetësim, por nuk do të dekurajohemi. Rastet duhen parë një nga një, e problemet që po hasin makinat e tjera, klientë tanët nuk lidhen gjithmonë me produktin Ferrari - komentoi Binotto. - Ne do të analizojmë gjithçka, por korrigjimi brenda një jave është i vështirë. Ne do të përpiqemi të menaxhojmë, të shtojmë komponentë të rinj, por edhe të analizojmë dhe më pas të punojmë për problemet”.

Ndërsa Leclerc është shfaqur tepër i zhgënjyer teksa shprehet: "Në tre garat e fundit duket se ka probleme besueshmërie, nuk dua të them shumë gjëra sepse nuk mund të gjej fjalët e duhura, por kjo që po ndodh më dhemb shumë. Makina është konkurruese por nuk po arrijmë në rezultatin përfundimtar. Duhet të rifillojmë për garën e ardhshme, por nuk mund t'i anashkalojmë këto pikë të humbura”. Edhe Carlos Sainz detyrohet të largohet nga gara në xhiron e tetë për shkak të një problemi hidraulik në Ferrarin e tij: "Sapo e shtyva sistemin hidraulik gjithçka u fik. Nuk kishte asnjë problem para garës. Jemi të befasuar, por skuadra do të shikojë gjithçka dhe ne do të mësojmë nga këto gabime. Shpresojmë që ta kompensojmë në Kanada”.

Gjithçka do të varet nga ajo se çfarë do të zbulojnë inxhinierët të martën, teksa do të analizojnë dy makinat Ferrari. Në Kanada, Leclerc do të duhet të montojë një motor të ri, të tretin, dhe nëse do të detyrohej të zëvendësonte turbon, ai do të penalizohej në nisje me 5 vende. Edhe Sainz po përdor motorin e dytë. Për Ferrarin koha nuk pret, sepse pas katër ditësh makinat përgatiten për garën e ardhshme, atë në Montreal.