Egnatia ka arritur të mposhtë me rezultatin 4-3 Erzenin në ndeshjen hapëse të javës së tretë të Superiores, e cila rikthehet në fushë pas pushimit të imponuar për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Një sfidë mjaft emocionuese në “Arena Egnatia”, me vendasit që diktuan ritmin gjatë pjesës së parë, ndërsa shijakasit u zgjuan në pjesën e dytë por pa arritur të shmangnin humbjen.
Rrogozhinasit e nisën vrullshëm sfidën, me Duamena që arriti të shënojë tri herë në 21 minuta. Shijakasit reaguan me Maliqin kur ishte mbushur gjysmë ore lojë, i cili shfrytëzoi maksimalisht një krosim të Peposhit për të dërguar topin në rrjetë. Por vendasit reaguan menjëherë dhe shënuan golin e katërt me Zejnullain, që firmos për 4-1, rezultat që mbylli pjesën e parë.
Në pjesën e dytë Erzeni arriti të shënojë golin e dytë në minutën e 52-të, Meçja nga distanca mposhti portierin Sherri. Në fund të sfidës vjen dhe një gol i tretë për shijakasit me autor Kahrimanoviç(me penallti), por që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Mbyllet 4-3 për Egnatian, që shkon në kuotën e 6 pikëve pas tri javës. Erzeni pëson humbjen e parë dhe mbetet në kuotën e 2 pikëve.