Feynoord e ka mbyllur kampionatin dhe tashmë mund të punojë i qetë për finalen e 25 majit në Tiranë kundër Romës. Skuadra holandeze ka udhëtuar në lokalitetin turistik të Algraves në Portugali, vetëm pak km larg vendlindjes së Jose Mourinhos, trajnerit që do të ketë përballë në 90 minutëshin më të rëndësishëm të sezonit. Gjendja në kampin bardhekuq nuk është nga më idealet pasi trajneri Arne Slot, duhet të fokusohet kryesisht te forma fizike e një pjese të rëndësishme të skuadrës.
Mesfushori turk Kokcu, la fushën e lojës në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe mungesa e mundshme e tij në Tiranë heq shumë nga pesha e skuadrës nga Rotterdami. “Ndiej shumë dhimbje por shpresoj që të jem në Tiranë për ndeshjen me Romën”, deklaron mesfushori. Tre emra të tjerë që shqetësojnë në kampin holandez janë edhe Malacia, Nelson e Trauner. Sigurinë më të madhe trajnerit Slot ia jep dyshja e sulmit Sinisterra- Dessers me këtë të fundit që është golashënuesi më i mirë i Conference League deri në këto momente.
Diferencat teknike që në letër mes Romës dhe Feynoord janë të mëdha, mund të zerohen nga ato fizike ku skuadra holandeze do të jetë në avantazh pasi javën e fundit përpara finales do të punojë e qetë dhe larg presionit, ndërsa Roma do ta mbyllë të premten kampionatin e saj me sfidën e Torinos ku Jose Mourinho duhet të sigurojë minimalisht edhe një sezon tjetër në Europë.
“Feyonnordi është me pushime ndërsa ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për Europën”, dekalroi luzitani jo pa keqardhje që Roma duhet të bëjë një sforcim ekstra në fazën më sfilitëse të sezonit. Një përballje që sipas të gjitha gjasave në fushëne blertë nuk do të ketë favoritë të dukshëm. Në Tiranë do të fitojë skuadra më e zgjuar dhe cinike.