RTSH Sport Live

FIA rrëzon dy apelimet e Mercedesit

  • 12/12/2021
  • |
  • Formula 1
FIA rrëzon dy apelimet e Mercedesit
Nuk ndryshon verdikti përfundimtar i sezonit, Maks Verstapen zyrtarizohet si “kampion”

Një sezon që u mbyll në mënyrë dramatike, ku u zhvillua betejë si një pistë, ashtu edhe jashtë saj, nuk kish si të mbyllej ndryshe. Edhe pse gara përfundoi, brenda 30 minutash, sikundër e kërkon edhe rregullorja, skuadra e “Mercedes”-it ka apeluar për dy vendime, që kishin të bënin me xhirot e fundit të garës. Por marshallët e garës, që përfaqësojnë Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), e kanë hedhur poshtë një nga protestat e skuadrës gjermane, duke e hedhur poshtë si të paqenë pretendimin se Maks Verstapeni kishte parakaluar në mënyrë të  paligjshme nën regjimin e makinës së sigurisë. “Mercedes”-i kishte protestuar si sa i përket episodit të parë, ashtu edhe vendimeve të marra nga drejtori i garës, Majkëll Masi, lidhur me ndryshimin e vendimit për parakalimin e makinave pas makinës së sigurisë.

“Ndonëse ka patur një avancim të makinës së Verstapenit në një moment të caktuar kundrejt asaj të Hemiltonitm holandezi është tërhequr dhe nuk ishte para makinës së britanikut kur mbaroi regjimi i makinës së sigurisë”, - kanë sqaruar marshallët e garës, në vendimin e tyre. Ndërkaq, pak kohë më vonë është bërë e ditur se edhe apeli i dytë i skuadrës gjermane është hedhur poshtë nga gjyqtarët e garës, të cilët e kanë cilësuar të rregullt vendimin e marrë nga drejtuesi i garës, australiani Majkëll Masi.

Pasi u mësua protesta e dyfishtë e “Mercedes”-it, Maks Verstapeni deklaroi me ironi “kjo e përmbledh edhe gjithë sezonin”, ndërsa kreu i skuadrës së “Red Bull”-it, Kristian Horner, deklaroi se, “ishte i zhgënjyer” me këtë hap të rivalëve, por i besonte gjykimit të FIA-s. Madje Horner ka vijuar të shprehë habi në reagimin e shpejtë të “Mercedes”-it për të apeluar, duke deklaruar plot ironi: “Ne nuk sollëm me vete një jurist, ne erdhëm këtu thjesht për të garuar”. Megjithatë, tashmë gjithçka është mbyllur dhe Maks Verstapeni është konfirmuar katërcipërisht si “kampion i botës”.