RTSH Sport Live

FIA vendos rregulla të reja

  • 06/05/2022
  • |
  • Formula 1
FIA vendos rregulla të reja
Pilotët pa bizhuteri në garë, për të evituar djegien nga zjarri në rast aksidenti

Nuk ka më veshje të brendshme, sipas preferencave, për pilotët e F1. Që nga Çmimi i Madh në Miami, FIA ka vendosur kontrolle më të rrepta për veshjet e sigurisë të pilotëve, të cilët duhet të mbajnë "doreza, të brendshme të gjata, kapuç, çorape dhe këpucë të miratuara sipas standardeve të kërkuara nga Federata Ndërkombëtare dhe rezistente ndaj zjarrit". Nuk do të lejohen përjashtime as për më supersticiozët, si Antonio Giovinazzi. Përjashtimi i vetëm do të bëhet për "arsye të justifikuara mjekësore" dhe në çdo rast "përdorimi i veshjeve sintetike nuk do të lejohet në kontakt me lëkurën”.

Risia u prit nga pilotët me skepticizëm, buzëqeshje djallëzore dhe disa shaka të mprehta kur komisionerët e diskutuan atë për herë të parë në takimin para Çmimit të Madh të Australisë. Por, tani e tutje, nga Miami do të jetë ligj, iu pëlqen apo jo pilotëve. Kjo masë e vendosur në nenin 31.1 të rregulloreve sportive, shërben për të reduktuar rrezikun e djegieve të rënda në rast zjarri në makinë, një temë që u kthye në qendër të vëmendjes në vitin 2020 pas aksidentit në Bahrein, në të cilin u përfshi makina Haas e Romain Grosjean.

Piloti francez i shpëtoi rrezikut, por dogji rëndë duart dhe kyçet, një episod që tërhoqi vëmendjen rreth problemit. Për vite të tëra, asnjë zjarr nuk ishte parë në F1, falë dizajnit të modeleve gjithnjë e më të forta të njëvendsheve dhe rreziku për të parë drama si ajo e përjetuar nga Niki Lauda në Nurburgring në 1976 dukej përfundimisht i shmangur. Por një zile alarmi ra përsëri.

Me rregulloren e re, nga gara e kësaj fundjave, pilotëve do t'u ndalohet edhe vendosja e bizhuterive dhe sendeve metalike të çdo lloji nën kostumin dhe kasën e garës. Unazat dhe piercings janë gjithashtu të ndaluara. Kontakti i metalit me lëkurën rrit rrezikun e djegieve, për shkak të përcjelljes së nxehtësisë, si dhe prania e gjerdanëve ose bizhuterive të tjera "mund të vonojë operacionet e shpëtimit të mjekëve dhe diagnozën ose çdo trajtim që duhet bërë më vonë.

Mund të krijojë pengesë për heqjen e kaskës dhe pajisjeve të tjera teknike në rast aksidenti”. Në dokumentin e firmosur nga drejtori i garës Niels Ëittich, paralajmërohen edhe kontrolle të befasishme.