RTSH Sport Live

FIFA, ja vendimi më i fundit për Botërorin

  • 01/07/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
FIFA, ja vendimi më i fundit për Botërorin
Një revolucion i vërtetë për gjyqtarët e përfshirë në kompeticionin e ardhshëm

Pas thashethemeve që qarkulluan në javët e fundit, tashmë është zyrtare: FIFA ka prezantuar zbulimin gjysmë automatik të pozicionit jashtë loje në funksion të Kupës së Botës në Katar 2022. Një revolucion i vërtetë për gjyqtarët e përfshirë në kampionatin e ardhshëm botëror. Një vendim që, sipas shpjegimit, përdoret për të "ndihmuar gjyqtarët, në fushë dhe në VAR, për të marrë vendime më shpejt, më saktë dhe me besueshmëri". Dymbëdhjetë kamera të instaluara nën çatinë e stadiumeve lejojnë të kapen lëvizjet e topit dhe deri në 29 lëvizje të secilit lojtar, 50 herë në sekondë, për të llogaritur pozicionin e tyre të saktë në fushë.

“Të 29 grupet e të dhënave të mbledhura përfshijnë ekstremitetet dhe pjesët e trupit që merren në konsideratë për të sinjalizuar një pozicion jashtë loke”, nënvizon FIFA, duke shpjeguar se topi zyrtar i Kupës së Botës (Al Rihla nga adidas), do të përmbajë një element vendimtar brenda për zbulimin e pozicioneve të dyshimta. Ka një sensor të matjes inerciale, i cili është i pozicionuar në qendër të topit dhe dërgon një paketë prej 500 të dhënash në sekondë në dhomën e videos, duke lejuar që të zbulohet saktësisht momenti kur goditet topi”.

Duke kombinuar të dhënat e gjurmimit, përmes inteligjencës artificiale, teknologjia e re siguron një alarm automatik në dhomën e videos sa herë që një sulmues në një pozicion të dyshimtë shërbehet nga një shok skuadre.

“Para raportimit të arbitrit për pozicionin jashtë loje, ekipi i videove  kontrollon manualisht momentin e saktë të situatës së lojës dhe procesi, në pak sekonda, lejon marrjen e vendimeve më të shpejta dhe më të sakta”, njofton FIFA, duke nënvizuar se “gjithçka do të transmetohet në billbordet e videove dhe do t'u shpërndahet mbajtësve të të drejtave televizive për të informuar të gjithë shikuesit në mënyrën më të qartë dhe më transparente të mundshme".

Të dhënat e teknologjisë gjysmë automatike të pozicionit jashtë loje do t'u prezantohen skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin e Katarit, në një takim që do të zhvillohet në Doha në datat 4-5 korrik.