RTSH Sport Live

FIFA redukton fitimet e agjentëve

  • 13/05/2022
  • |
  • Futboll Bota
FIFA redukton fitimet e agjentëve
Nga 2023 vetëm 10% përfiton një menaxher nga shitja e lojtarit

Në korrik 2023, komisionet ultra të ngarkuara nga superagjentët për nënshkrime si Haaland ose Mbappé nuk do të jenë më. Edhe familjarët e lojtarëve, agjentë të fuqishëm të shekullit të 21-të, nuk do të kenë gjithashtu të drejtë të fitojnë para nga një transfertë nëse nuk kanë licencë. Ky është vendimi i fundit i marrë nga FIFA, i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2023. Transferimet që do të bëhen midis qershorit dhe shtatorit 2022 do të jenë me rregullat e vjetra.

Më pas, bota e transferimeve do të marrë një kthesë të shumëpritur për klubet. Deri tani, dhe sidomos vitet e fundit, klubet e gjenin veten me një sërë agjentësh-komisionerë që rrisnin koston e transferimeve. Për të nënshkruar me një lojtar ose për ta shitur atë, ata duhej të merreshin me një agjent të etur për të fituar sa më shumë para. Por edhe me babanë, nënën apo kushëririn që pa licencë zyrtare negocionin edhe ata pjesën e tyre. Ishte gjithmonë e ligjshme, por pas një viti, rregullat do të ndryshojnë.

FIFA do të miratojë rregulloren e re dhe që nga korriku 2023, agjentët do të fitojnë ende para, por jo aq shumë. Rregullat do të kërkojnë tarifimin deri në dhjetë për qind të vlerës së transferimit nëse agjenti përfaqëson klubin shitës; deri në tre p]r qind nëse punon për lojtarin ose për klubin blerës; dhe deri në gjashtë p]r qind nëse punon për të dyja në të njëjtën kohë.

Do të ndalohet përfaqësimi i tre palëve për të shmangur një "konflikt të qartë interesi". Por organizmi i drejtuar nga Gianni Infantino do të vendosë rregulla edhe për palën e tretë, që vitet e fundit është rritur pa ndërprerje deri në atë pikë sa ka krijuar probleme serioze në shumë klube. Kujtojmë rastin e Neymar dhe nënshkrimin e tij për Barcelonën, ku babai i tij pranoi se kishte marrë deri në 40 milionë euro komision nga klubi katalan. Edhe kjo do të marrë fund. Anëtarët e familjes do të mund të hyjnë në komisione vetëm nëse janë zyrtarisht agjentë pas marrjes së licencës.

Dhe, për të mbyllur rrethin, FIFA do të ndjekë gjurmët e parave. Do të përpiqet t'i japë fund pagesave në parajsat fiskale dhe do të trajtojë problemin me një "projekt pastrimi të pagesave" ku komisionet kalojnë përmes një banke dhe në vende të caktuara. Këto rregulla të reja të ndërmarra nga FIFA, janë duartrokitur nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Rregulloret përfundimtare që do të miratohen nga Këshilli i FIFA-s tashmë janë shpërndarë në të gjitha grupet e interesit: ato janë në zotërim të klubeve, ligave dhe sindikatat e lojtarëve. Me të gjitha letrat në tavolinë, agjentët do të përpiqen për të përfunduar marrëveshjet e tyre më të fundit të mëdha. Por, me siguri, do të jetë hera e fundit që do të ndodhë.