RTSH Sport Live

Filadelfia, Finiks dhe Dallas kualifikohen

  • 29/04/2022
  • |
  • Basketboll
Filadelfia, Finiks dhe Dallas kualifikohen
Kris Poll si askush tjetër gjuan, 14 herë dhe shënon 14 kosha

Filadelfia i drejtohet më në fund raundit të dytë. Joel Embiid shënoi 33 pikë dhe 10 topa në tabel, Harden me 22 pikë dhe 15 assist ndihmuan Filadelfian në fitoren 132-97 ndaj Torontos në ndeshjen e 6 duke e mbyllur serinë 4-2. Në raundin e dytë Filadelfia takohet me Miamin dhe 2 ndeshjet e para luhen ne Florida. “Na pret një skuadër e mirë, me stol , me experiencë dhe ne duhet të tregojmë ndaj tyre që jemi të pjekur – u shpreh Doc Rivers trajneri i Filadelfias. Për Toronton spikati Chris Boucher me 25 pikë dhe Packal Siakam me 24 pikë. Toronto e mbylli në raundin e parë për herë të parë që nga 2015.

Finiks mundi Nju Orlins 115-109 duke e mbyllur serinë 4-2. Chris Paul ishte magjik edhe një herë me 14/14 në gjuajtjet nga loja dhe 4/4 në gjuajtjet e lira si dhe 8 asist. Asnjëherë më parë një lojtar nuk I kishte shënuar të gjitha gjuatjet që kishte marrë përsipër në një ndeshje play off. “Po mendoja se si ta administroja lojën por në pushimin e madh, duke parë që isha mirë me realizimin, mendova të merrja më tepër përsipër – u shpreh Paul, i cili e mbylli me 33 pikë. Finiks i drejtohet raundit të dytë ndërsa Nju Orlins e mbyll sezonin këtu por me nota pozitive për kualifikimin në playoff.

Dallas mundi Utah Jazz 98-96 duke e mbyllur gjithashtu serinë 4-2. Luka Doncic dhe Brunson shënuan nga 24 pikë secili dhe Jason Kidd, trajneri i Dallas do shprehej: “Ka të bëjë me besimin. Luka bëri një punë të mirë duke i pasuar shokëve kur ai dublohej”. Në aksionin e fundit Utah pati një mundësi të mirë për të barazuar apo për të fituar, por gjuajtja e Bogdanovic përfundoi jashtë dhe tani Dallas i drejtohet raundit të dyte me Finiks si kundershtar.