RTSH Sport Live

Firmino i thotë lamtumirë Liverpool-it pas 8 vitesh, dedikimi emocional i tifozëve

  • 21/05/2023
  • |
  • Angli
Firmino i thotë lamtumirë Liverpool-it pas 8 vitesh, dedikimi emocional i tifozëve
Momente emocionues në 'Anfield' në ndeshjen e fundit të brazilianit, i nderuar në fushë dhe jashtë stadiumit

Emocione shumë të forta në 'Anfield Road' për ndeshjen e fundit të Liverpool-it në shtëpi këtë sezon në Premier League. “Reds” nuk shkuan përtej barazimit 1-1 me Aston Villa: një rezultat që komplikon shanset e skuadrës së Klopp për të arritur në vendin e katërt, i vlefshëm për kualifikimin në Champions League të sezonit të ardhshëm. Zhgënjimi për mundësinë e humbur shpejt i la vendin emocioneve të mëdha për ndeshjen e fundit të Roberto Firminos me fanellën e 'Reds' pas 8 vitesh mahnitëse.

Për të mbyllur ndeshjen e fundit të luajtur në 'Anfield', Firmino shënoi edhe golin e barazimit ndaj Aston Villas në minutën e 89-të dhe në fishkëllimën e trefishtë braziliani nuk mundi t'i mbante lotët, i ngushëlluar nga bashkëkombasi i tij Alisson. Më pas i gjithë stadiumi e duartrokiti atë, duke organizuar një ovacion drithërues. Por emocionet kanë dominuar skenën edhe në parandeshjen kur tifozët e ‘Reds’ kanë dashur t’i tregojnë respektin asit brazilian me një gjest emocionues.

Para ngjarjes së madhe, tifozët kanë nderuar sulmuesin brazilian me një mural që qëndron pak hapa larg stadiumit. Një nder që tifozët e 'Kop' (kurba e famshme e tifozëve të Liverpool-it) i kanë bërë vitet e fundit legjendave të ndryshme të klubit - nga Gerrard te Rush, duke kaluar tek Dalglish dhe Barnes - të cilët do të mbeten përgjithmonë në mure të qytetit. Braziliani largohet nga Liverpool pas 8 vitesh (arriti në vitin 2015 nga Hoffenheim), 7 tituj dhe mbi 100 gola të shënuar me fanellën e ‘Reds’.