RTSH Sport Live

Flamurtari e Dinamo, garë për titull

  • 15/11/2022
  • |
  • Kategoria e Parë
Flamurtari e Dinamo, garë për titull
Korabi dhe Luzi 2008 në hapat e kryesuesve, Lushnja e Apolonia në krizë rezultatesh

Java e dhjetë e Kategorisë së Parë nuk ka patur shumë rezultate surprizë. Brenda pritshmërive, ndërsa tanimë gjithçka kryesohet nga Flamurtari e Dinamo me 21 pikë. Blutë fituan lehtësisht me Besën në Peqin, 2-0, ndërsa Taulant Marku ka realizuar golin e nëntë sezonal, teksa është në krye të listës së shënuesve më të mirë të kampionatit.

Një fitore e vuajtur për Flamurtarin, por në fund një trepikësh që skuadrën e Marselon Troisit e mban në vendin e parë. Gjithçka ndodhi me Burrelin, të dielën në Vlorë, në atë fitore 1-0.

E të hënën vjen dhe fitorja spektakolare e Korabit, 2-1 me Skënderbeun, që i ngjit dibranët e Kumbarçes në vendin e tretë me 17 pikë. Goli i gjashtë për Kekon e Korabit, ndërsa pas tij qëndron Beshiraj me pesë gola. Por kampionati është bërë më interesant dhe për shkak të fitores së Luzit 2008, 1-0 ndaj Besëlidhjes, që e ngjit këtë skuadër në vendin e katërt me 16 pikë.

Ndërkohë Lushnja dhe Apolonia ndodhen në krizë rezultatesh. Madje verdhejeshilët nuk duket se po ecin mirë edhe me ndërrimin e trajnerëve, teksa iku Klodian Duro dhe erdhi Edlir Tetova. Dhe vetë humbja me Tërbunin në shtëpi, 0-1, tregon për këtë. Sikurse dhe fitorja e Tomorit në Fier ndaj Apolonisë.

Turbina merr fitoren e dytë në kampionat, 2-1 ndaj Orikut, ndërsa kështu gara mbetet e hapur për mbijetesë. Kategoria e Parë është pushim deri më 11 dhjetor për ta rinisur përsëri nga fillimi si një kampionat që do të sjellë emocione.