Flamurtari ka rigjetur fitoren e munguar në Ligën Unike, teksa në mbrëmjen e së mërkurës, në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ka mundur Partizanin, 84-65. Një fitore me përmbysje për vajzat e Erion Hoxhës, sepse Partizani ka bërë një periodë të parë shumë të mirë, atje ku dallohet në gjuajtjen për tre pikë. Realizon katër të tilla dhe shkëputet deri në 22-15. Mirëpo Flamurtari, me shumë lojtare të huaja, arrin të ngushtojë diferencën e pikëve dhe në fund të periodës së parë rezultati është 22-21.
Flamurtari vijon të realizojë në periodën e dytë, ndërsa Partizani ka vështirësi në realizimin e koshave, shoqëruar dhe me rënie fizike, ndoshta ndikuar nga temperaturat e ulëta në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. 10-23 perioda e dytë për vlonjatet, që në pushim e shohin veten në avantazhin e 12 pikëve diferencë, 32-44. Vijon Flamurtari të diktojë në fushë, ndërsa Partizanit kthehet në armën e saj më të fortë gjuajtjet për tre pikë, gjithnjë me tendencën për të ngushtuar diferencën e pikëve.
15-19 perioda e tretë për Flamurtarin, që thellon në 47-63. 18-21 dhe perioda e katërt për Flamurtarin, që përfundimisht sjell suksesin e parë të vlonjateve në Ligën Unike, Shqipëri-Kosovë, teksa triumfojnë ndaj Partizanit, 65-84. Ndërkohë Liga Unike e basketbollit të femrave kryesohet nga Penza e Pejës, që të mërkurën pasdite ka arritur fitoren e dytë, teksa ka mundur në transfertë Prishtinën, 80-74. Java e dytë e Ligës Unike në basketboll për femra do të mbyllet të enjten pasdite me ndeshjen Tirana – Bashkimi i Prizrenit, që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar në ora 17:00 nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi”.