RTSH Sport Live

Flamurtari, kampion i Kategorisë së Dytë

  • 08/05/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Flamurtari, kampion i Kategorisë së Dytë
Vlonjatët triumfojnë me penallti ndaj Luzi 2008 në finalen e “Selman Stërmasit”

Flamurtari është kampion i Kategorisë së Dytë për sezonin 2021-2022, ndërsa në finalen e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë, që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka triumfuar me penallti 4-2 ndaj Luzi 2008. Vlonjatët kanë qenë më të saktë nga pika e bardhë, atje ku kanë shënuar Ramadani, Pjeshka, Ribaj e Metani. Kurse tek Luzi kanë gabuar Xhika dhe Merdini dhe festa është për vlonjatët, atje ku medaljet dhe kupën për kapitenin e Flamurtarit, Andi Ribaj, e ka dorëzuar anëtari i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj.

Sa i përket lojës, pjesa e parë i ka patur rastet me pikatore. Në të 18’, Injo në gjuajtjen e tij, pas krosimit të Diamantit nga e djathta, është frenuar nga pritja e Çalit. Pas katër minutash, përtej krosimit të Ribajt, as Injo e as Pjeshka nuk godasin, ndërsa janë përplasur me njëri-tjetrin. Luzi 2008 beson tek kundërsulmi dhe Zuna në të 39’ detyron Moçkën të presë në dy kohë. Mbrojtësi i katërkëndorit vlonjat ka bërë të njëjtën gjë edhe në fundin e pjesës së parë, që është mbyllur në barazim pa gola, 0-0. Pjesa e dytë nis me gol, teksa Pjeshka i ka dhënë avantazhin Flamurtarit.

Një gol që duket sikur jep qetësi, ndërsa vlonjatët nisin të humbasin mundësitë e tyre të arta për shënim. Kështu bën Ribaj në të 51’, teksa nuk kalon dot Çalin për të shkuar në portën e boshatisur. Por kështu bën dhe Diamanti në të 63’ dhe në të 68’, ndërsa Çali e Ramazani bëhen barrikadë për mesfushorin vlonjat. Dhe kur nuk shënon e pëson, ndërsa Gjinaj ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm në të 80’, teksa nga 20 metra e ka dërguar topin në të djathtë të Moçkës.

Flamurtari provon deri në fund për të gjetur golin e fitores, por Metani është frenuar nga grushtimi i Çalit. Në kohën shtesë, pikërisht në të 100’, Luzi 2008 është penguar nga trau i portës vlonjate në atë gjuajtje fantastike të Jovanit. Metani dhe Ribaj provojnë dhe një herë në të 109’ dhe 114’, por Çali është i gatshëm në çdo moment. Dhe fati ishte tek penalltitë, atje ku Flamurtari doli fitues, ndërsa së bashku me Luzi 2008 janë në Kategorinë e Parë për sezonin 2022-2023.