RTSH Sport Live

Flamurtari, në prag të titullit kampion

  • 01/05/2023
  • |
  • Basketboll
Flamurtari, në prag të titullit kampion
Vlonjatet kanë fituar ndeshjen e tretë me Partizanin, 77-66, e katërta vendos gjithçka

Flamurtari tanimë kryeson 2-1 në finalet e titullit kampion në basketboll për femra, teksa të shtunën në mbrëmje ka fituar 77-66 me Partizanin. Ndeshja e tretë në Vlorë ka patur ekuilibër, të paktë deri në dhjetë minutat e treta. Perioda e parë është fituar nga vlonjatet 17-16. Në fund të periodës së dytë shifrat ishin 37-34 për Flamurtarin. Ndërkohë në dhjetë minutat e treta rezultati është thelluar në 61-47, ndërsa në fund janë shënuar shifrat 77-66 për vlonjatet. Mirela Lugaj, lojtarja më e mirë e ndeshjes, ka konfirmuar se Flamurtari do të kërkojë të fitojë takimin e katërt dhe të marrë titullin kampion në Tiranë.

"Partizani ka qenë që në fillim të kampionatit rivali ynë kryesor. Unë për vete kam qenë pjesë e Partizanit dhe ka qenë një ndeshje shumë emocionuese për mua. Por tifozët na e kanë bërë shumë të lehtë dhe këtë duhet ta pranojmë në realitet. Gjithmonë këtu në Vlorë ma kanë bërë të lehtë lojën time dhe të ekipit e janë një suport i shkëlqyer", thotë Lugaj.

Ndeshja e katërt do të jetë e luftuar me Partizanin që kërkon të barazojë e më pas do të shkojë gjithçka në ndeshjen e pestë në Vlorë, atje ku përsëri Flamurtari do të kërkojë titullin kampion.