Dramë vlonjate në “Elbasan Arena”, Flamurtari ka përfunduar në Kategorinë e Dytë për sezonin e ardhshëm. 120 minuta lojë në ndeshjen e “Play Out”, ku skuadra vlonjate është përballur me Tërbunin. Pasi gjithcka është mbyllur 0-0, të dyja skuadrat i janë drejtuar pikës së penalltisë, për të shpallur fituesin.
Llotaria e 11-metërshave u ka buzëqeshur lojtarëve të skuadrës pukjane, të cilët janë treguar të saktë në pesë gjuajtjet e tyre. Për vlonjatët ka gabuar penalltinë e fundit, Ribaj, duke vulosur fatin e keq për skuadrën e tij: një kategori më poshtë.
Një tronditje për Flamurtarin dhe për futbollin vlonjat, që në dy sezonet e fundit shikon të shembet gjithcka: skuadra me shumë pretendime, fundoset si asnjëherë tjetër, në një nivel ku askush në Vlorë nuk do ta pranojë, por realiteti i tillë është.
Ndërkohë, skuadra pukjane rikthehet në Kategorinë e Parë vetëm pas një viti mungese, duke shkaktuar kështu surprizën më të madhe të verdikteve përfundimtare të këtij sezoni futbollistik.