RTSH Sport Live

Flamurtari surprizon Vllazninë, Erzeni pëson golin e parë

  • 26/09/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Flamurtari surprizon Vllazninë, Erzeni pëson golin e parë
Vlonjatët kanë fituar 2-1 përballë kuqebluve, shijakasit kanë mundur 2-1 Turbinën, kanë pësuar dhe golin e parë në këtë sezon

Kupa e Shqipërisë ka luajtur të hënën 9 prej dueleve të vlefshme për turin e 32-shes, teksa 7 takimet e tjera luhen në të mërkurën. Midis 4 përballjeve të para të këtij turi, të vlefshme për grupin A, spikati padyshim fitorja me përmbysje që Flamurtari arriti në fushën e vet përballë Vllaznisë. Në takimin e luajtur në Vlorë dhe pamje të së cilit na sjell kjo kronikë, kanë qenë shkodranët që kaluan në epërsi pas vetëm 11 minutash lojë, me anë të Vulajt.

Por Flamurtari barazoi shifrat 9 minuta më pas, me anë të Fernandos, duke përmbysur gjithçka me anë të Dishës në minutën e 35-të. Me epërsinë minimale të vlonjatëve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nuk do të sjellë gola të tjetër dhe Vllaznia del e mundur 1-2 nga Vlora, duke shpresuar në përmbysjen në ndeshjen e kthimit. Në 3 takimet e tjera të këtij grupi, të luajtur të hënën, Kastrioti ka mundur 1-0 Vlorën në Fushë-Krujë, Bylisi ka fituar 3-0 në Pogradec ndaj skuadrës vendase dhe Besa e Korabi janë ndarë në barazim 1-1 në Peqin.

Ndërkaq, në grupin B, Laçi ka fituar 2-0 në fushën e Devollit, me nga një gol për secilën pjesë loje, në takimin pamje të së cilit na sjell kjo kronikë. Ndërkaq, në 3 takimet e tjera të këtij grupi, të luajtur të hënën, Kukësi ka fituar 3-0 në fushën e Labërisë, Luzi 2008 dhe Teuta janë ndarë me rrjeta të paprekura në Shijak, Skënderbeu ka fituar thellë, 5-1, në derbin me Maliqin, të luajtur në Korçë, ndërsa në fushë të huaj, ka fituar edhe Erzeni, që ka mundur 2-1 Turbinën në Cërrik por e veçanta është se shijakasit kanë pësuar gol për herë të parë në këtë sezon.