Flamurtari në basketboll për femra ka realizuar një tjetër fitore të thellë, teksa të mërkurën pasdite ka mundur Tiranën, 97-62, në Pallatin e Sportit në Vlorë. Një fitore që e mban skuadrën e Elona Hasanajt në vendin e parë në renditje, ndërsa objektivi është fitimi i titullit kampion. E me këtë ecuri, Flamurtari nuk duket se do të ketë kundërshtar në Play-off për titull kampion.
Vlonjatet kanë dominuar gjatë gjithë ndeshjes, aq sa në përfundim të pjesës së parë është fiksuar rezultati 60-26. Kjo diferencë pikësh i ka dhënë mundësinë trajneres Hasanaj që të aktivizojë dhe lojtaret e reja e në përfundim Flamurtari ka fituar 97-62.
Faza e rregullt e kampionatit është drejt përfundimit, teksa pritet të nisë dhe Play-off për titull kampion, atje ku Flamurtari është i favorizuar për shkak të vendit të parë në renditje. Katër ekipet e para të renditjes pas tre fazave të luajtura do të diskutojnë titullin kampion në Play-off, ndërsa Flamurtari shpreson.