RTSH Sport Live

Formula 1, Çmimi i Madh i Singaporit

  • 26/09/2022
  • |
  • Formula 1
Formula 1, Çmimi i Madh i Singaporit
Nëse fiton, Verstappen shpallet Kampion Bote

Formula 1 rikthehet në pistë pas një jave pushimi. Makinat njëvendëshe do të garojnë në Singapor, në pistën e Marina Bay, e cila mungonte prej tre sezonesh për shkak të pandemisë. Botërori i Formula 1 nuk zhvillohej në Singapor që nga 2019 kur fitues u shpall Sebastian Vettel dhe dopietën e Ferrarit në podium e kompletonte Charles Leclerc me vendin e dytë. Çmimi i Madh i Singaporit, që zhvillohet këtë fundjavë, do të jetë përcaktues për fituesin e botërorit, që duket se do të jetë Max Verstappen, lideri i klasifikimit për pilotë. Holandezi i Red Bullit ka aktualisht një avantazh prej 116 pikësh ndaj Leclerc. Kanë mbetur edhe 6 Çmime të Mëdha për t’u zhvilluar deri në fund të Botërorit të Formula 1 dhe titulli kampion bote për pilotë mund të përcaktohet që në përfundim të kësaj gare. Por Ferrari nuk dorëzohet deri në fund.

Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Singaporit do të zhvillohen të shtunën në orën 15:00, ndërsa gara të dielën në 2 tetor në orën 14:00. Emocionet e kësaj gare do të përcillen për teleshikuesit përgjatë fundjavës, në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.