RTSH Sport Live

Formula 1, risi në kalendarin 2023

  • 28/09/2022
  • |
  • Formula 1
Formula 1, risi në kalendarin 2023
FIA zyrtarizon 24 Çmime të Mëdha dhe 6 gara sprint

Ndryshime të rëndësishme në kalendarin e 2023 të Formula 1. Për ta bërë më të bukur, më tërheqës dhe më konkurrues FIA ka vendosur që në Botërorin e ardhshëm të shtojnë numrin e garave sprint. Kualifikueset e së shtunës në formatin 100 km dhe dhënien e pikëve për 8 të parët, do të jenë gjashtë, nga 3 që ishin më parë. Ende nuk janë përcaktuar se në cilat shtete do të zhvillohen 6 garat sprint. Gjithashtu kalendarit do t’i shtohet një garë në Las Vegas, ndërsa mungon ajo e Francës. Pra në Botërorin e 2023 të Formula 1 do të zhvillohen 24 gara.

Stefano Domenicali, Drejtori i Përgjithshëm i Formula 1, i ka komentuar kështu këto risi: “Reagimi i tifozëve, skuadrave dhe pilotëve ka qenë pozitiv dhe formati i ri do t’i japë një dimension të ri Formulës 1. Të gjithë ne duam të sigurojmë një sukses më të madh në të ardhmen”.

Përsa i përket kalendarit Domenicali përgjigjet: “Formula 1 ka marrë një numër të madh kërkesash nga shtete të ndryshme për të pritur një garë. Jemi të kënaqur për këtë moment që po kalon Formula 1, si dhe për lajmin që emocionet e një gare të Formula 1 do t’i përjetojmë të gjithë edhe në Las Vegas".

Edhe presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem ka thënë se risitë do ta bëjnë më të tërheqës botërorin e Formula 1. “Falë bashkëpunimit me Stefano Domenicalin dhe kolegët e tjerë, arritëm të përfundojmë një projekt të nisur më parë. Rritja e numrit të garave sprint do të rrisë dinamikën dhe entuziazmin e garave duke shtuar konkurencën midis pilotëve”.