RTSH Sport Live

Françesko Banjaja triumfon në Aragon

  • 12/09/2021
  • |
  • Moto GP
Françesko Banjaja triumfon në Aragon
Fiton duelin e ethshëm në fund me rivalin Markez, gara erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Piloti i “Dukati”-t, Françesko Banjaja, korri fitoren e tij të parë në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Moto GP-së, pasi i bëri ballë një sfide dramatike në xhirot e fundit nga Mark Markez, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Aragonës në Spanjë, ndërsa kryesuesi i renditjes së përgjithshme, Fabio Kuartararo, nuk ka shkuar dot më larg sesa vendi i 8-të. Piloti i “Honda”-s, Mark Markez, bëri plot 7 përpjekje përgjatë 3 xhirove të fundit, duke e parakaluar çdo herë Banjajën, por çdo herë ky i fundit u rikthye në krye, duke ruajtur gjakftohtësinë në 3 kthesa para fundit, atëherë kur 8-herë “kampioni i botës e humbi atë, duke gabuar dhe duke i dhënë mundësi pilotit italian të “Dukati”-t që të triumfonte dhe të bëhej piloti i 8-të i ndryshëm që fiton në këto 14 gara të deritanishme të këtij sezoni.

Banjaja u nis nga vendi i parë, ndërsa Markez parakaloi menjëherë Xhek Millerin që në kthesën e parë, duke u ngjitur nga vendi i 4-t në atë të dytin. Dhe kjo dyshe vijoi të kryesonte garën deri në fund, me Markezin që luajti lojën e durimit, për të sulmuar në kthesat e fundit, duke dhuruar një spektakël të vërtetë. Ndërkaq Kuartararo humbi vende xhiro pas xhirosh dhe mbërriti i 8-ti në finish, dhe, me fitoren e Banjajës, kryesimi i pilotit francez të “Jamaha”-s kundrejt atij italian të Dukatit është shkurtuar nga 65 pikë, në 53, teksa ky Botëror i Moto GP-së i drejtohet garës së 15-të të sezonit, asaj të Çmimit të Madh të San Marinos në pistën e Mizanos.

Ndërkaq, podiumin në Aragon e plotësoi kampioni në fuqi i botës, Joan Mir, që fitoi përballjen me Aleiks Espargaronë dhe Xhek Millerin. Sikundër i gjithë ky sezon, edhe provat zyrtare të shtunën, por edhe gara e së dielës në Çmimin e Madh të Aragonës në Spanjë u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.

Gara:

  1. Francesco Bagnaia (Ducati)
  2. Marc Marquez (Honda)
  3. Joan Mir (Suzuki)
  4. Aleix Espargaro (Aprilia)
  5. Jack Miller (Ducati)
  6. Enea Bastianini (Ducati)
  7. Brad Binder (KTM)
  8. Fabio Quartararo (Yamaha)
  9. Jorge Martin (Ducati)
  10. Takaaki Nakagami (Honda)
  11. Iker Lecuona (KTM)
  12. Alex Rins (Suzuki)
  13. Pol Espargaro (Honda)
  14. Miguel Oliveira (KTM)
  15. Danilo Petrucci (KTM)
  16. Cal Crutchlow (Yamaha)
  17. Johann Zarco (Ducati)
  18. Maverick Vinales (Aprilia)
  19. Valentino Rossi (Yamaha)
  20. Luca Marini (Ducati)

OUT
Jake Dixon
Alex Marquez

Klasifikimi i përgjithshëm i pilotëve:

  1. Quartararo 214
  2. Bagnaia 161
  3. Mir 157
  4. Zarco 137
  5. Miller 129
  6. Binder 117
  7. A. Espargaro 96
  8. Vinales 95
  9. Oliveira 87
  10. M. Marquez 79
  11. Martin 71
  12. Rins 68
  13. Nakagami 64
  14. P. Espargaro 55
  15. A. Marquez 49
  16. Bastianini 45
  17. Morbidelli 40
  18. Lecuona 38
  19. Petrucci 37
  20. Rossi 28
  21. Marini 28
  22. Bradl 11
  23. Pedrosa 6
  24. Savadori 4
  25. Pirro 3
  26. Rabat 1
  27. Gerloff 0
  28. Crutchlow 0
  29. Dixon 0