RTSH Sport Live

Freiburg-Leipzig, në RTSH

  • 21/05/2022
  • |
  • Gjermani
Freiburg-Leipzig, në RTSH
Finalja e Kupës së Gjermanisë 2022 do të luhet në Olympiastadion të Berlinit

Pas Bundesligës në Gjermani ka vetëm një titull për t'u dhënë: është Kupa. Finalja e Kupës së Gjermanisë 2022 do të luhet në Olympiastadion të Berlinit dhe do të përballen Freiburg dhe Leipzig, ekskluzivitet i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar. Kupa e Gjermanisë, emri zyrtar i së cilës në gjermanisht është DFB-Pokal, është trofeu i dytë kombëtar më i rëndësishëm pas Bundesligës. Edicioni i parë daton në vitin 1934 dhe deri më sot skuadra që ka arritur më shumë suksese në kompeticion është Bayern me 20 fitore.

Finalja e DFB-Pokal ndërmjet Freiburgut dhe Leipzigut do të luhet të shtunën, më 21 maj në orën 20:00. Nëse për klubin Red Bull është finalja e tretë në 4 vite, për Freiburg është e para. Pasi humbi dy nga tre finalet e mëparshme të DFB-Pokal, Leipzig dëshiron ta marrë me çdo kusht trofeun në shtëpi. Djemtë e Tedescos do të përballen me Freiburgun, një skuadër e fortë që ka humbur vetëm 3 nga 13 ndeshjet e fundit të Bundesligës.

Nga këto tre humbje, njëra ka ardhur në xhiron e fundit të kampionatit nga Bayer Leverkusen. Një humbje e parëndësishme për renditjen duke qenë se djemtë e Streich gjithsesi u kualifikuan në edicionin e ardhshëm të UEFA Europa League.

Freiburg dhe Leipzig janë përballur dy herë këtë sezon në Bundesligë dhe në të dyja rastet ndeshjet kanë përfunduar në barazim 1-1. Eliminimi në gjysmëfinale të Europa League ndaj Rangers dhe barazimi i javës së fundit ndaj Arminia Bielefeld tregoi një Leipzig disi të dobët; përkundër kësaj, skuadra e Tedesco-s ende mbetet favorite ndaj kundërshtarit.