RTSH Sport Live

Frika nga Covid ndez debatin në Wimbledon

  • 30/06/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Frika nga Covid ndez debatin në Wimbledon
Turneu ia le në dorë tenistëve vendimin për të luajtur apo jo

Tërheqja e Marin Cilic të hënën dhe Matteo Berrettini të martën, të dy pasi rezultuan pozitivë me koronavirus, para ndeshjeve të tyre në raundin e parë të Wimbledonit, ka gjeneruar një debat në turne për procedurën që duhet ndjekur në këto raste. Dhe pikërisht tenisti kroat dhe ai italian kanë marrë vendimin që të mos luajnë vetë, pasi organizata, në përputhje me qeverinë britanike, nuk ka parashikuar asnjë protokoll në këtë drejtim për këtë vit. Thjesht ata e kanë lënë vendimin në dorë të lojtarëve.

“Të gjithë mund të konkurrojnë. Edhe nëse jeni me COVID, mund të luani, nuk do të përjashtoheni nga turneu si më parë”, thotë Feliciano López, ish-tenisti 40-vjeçar. “Me sa duket, Berrettini dhe Cilic nuk ishin mirë ndaj u tërhoqën nga konkurrimi. Por unë mendoj se me këtë çështje duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe megjithëse virusi është në një moment dobësie, përsëri duhet të kemi kujdes që të mos përhapet në të gjithë turneun”, vijon Lopez.

Pasiguria është evidente, siç është edhe mosnjohja e rregullave, sepse këtë radhë në Wimbledon nuk ka fare të tilla. Tenistët flasin nën zë se edhe në Roland Garros ka patur tenistë me covid por e kanë mbuluar, nuk kanë treguar. Rafael Nadal u shpreh se: “Shpresoj që të mos e shoh veten në këtë situatë. Por nëse e shoh veten, atëherë do të veproj në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme. Shëndeti është para çdo gjëje tjetër”, sqaroi ai.

Por ka edhe tenistë si Roberto Bautista, që janë në favor të vazhdimit të konkurrimit në rast infektimi: “Nëse do të kisha COVID, do të luaja. Unë kam luajtur tashmë shumë herë në karrierën time i sëmurë ose me ethe. Dhe mua më duket perfekte që organizata e lejon lojtarin të marrë vendimin bazuar në mënyrën se si ndihet. Në Ëimbledon luhet për të fituar para dhe nëse keni Covid të largohesh dhe të humbasësh mundësinë për të fituar deri në 50 mijë paund. Jo jo askujt nuk i shkon ndër mend”.

Në favor të dy të larguarve, Cilic dhe Berretinit ka dalë Stefanos Tsitsipas. “Nëse dikush nuk ndihet mirë dhe ka COVID, mendoj se është e vështirë të dalësh në pistë dhe të konkurrosh. Ka efekte të ndryshme te njerëz të ndryshëm. Ciliç dhe Berrettini kanë vepruar drejt. Lojtarët duhet të ndihen të sigurt në këtë turne, sepse shumë gjëra mund të ndodhin”.