RTSH Sport Live

FSHF, gati turnetë rajonal të moshave

  • 05/12/2021
  • |
  • Futboll Vendi
FSHF, gati turnetë rajonal të moshave
Nga Tirana në Gjirokastër seleksionim për talentet e ardhshme të kombëtareve

Do të nisë nga kjo javë turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-13, U-14 dhe U-15. Ky turne ka si qëllim evidentimin e elementëve të rinj, që aktivizohen në kampionatet rajonale të FSHF-së dhe vëzhgimi i mëtejshëm i tyre nga stafi i ekipeve kombëtare. Me qëllimin për të përzgjedhur më tej futbollistët e rinj të ekipeve kombëtare të moshave. Ky turne është fryt i një pune disa mujore, ku trajnerë dhe specialistë të ekipeve kombëtare ndjekin nga afër stërvitjet dhe seleksionimet e ekipeve rajonale, atje ku bëhet edhe përzgjedhja e talenteve të reja që marrin pjesë në këtë turne që zhvillohet dy herë në vit.

Në këtë turne do të marrin pjesë ekipet përfaqësuese rajonale të këtyre tre grupmoshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra. Ndeshjet e grupeve do të nisin nga e hëna e 6 dhjetorit, ndërsa finalet. që do të përcaktojnë fituesin e secilës grupmoshë, do të zhvillohen në datat 15 dhe 16 dhjetor në stadiumet “Selman Stërmasi”, “Elbasan Arena” dhe Qendrën e Ekipeve Kombëtare, Kamëz. Në bazë të rregullores së këtij aktiviteti, kohëzgjatja e çdo ndeshjeje do të jetë: për moshën U-13 2 pjesë loje nga 30 minuta; për moshën U-14 2 pjesë loje nga 35 minuta; për moshën U-15 2 pjesë loje nga 40 minuta.

Në rast barazimi nuk do të aplikohet koha shtesë, por direkt goditjet e 11-metërshave, që do të pëcaktojnë edhe fituesin e çiftit. Ndeshjet e fazës së grupeve do të zhvillohen në Tiranë dhe Fier (Qendra Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe aneksi i stadiumit “Loni Papuçiu”).