Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e radhës së 26 shtatorit kandidaturat për organizimin e Kampionatit Evropian të Nën-17-vjeçarëve për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçarëve për vitet 2026 dhe 2027, teksa Federata Shqiptare e Futbollit është bërë pjesë e kësaj gare të rëndësishme, për të cilën ka dorëzuar aplikimet. Pjesë e kësaj gare janë dhe Federata nga vende të rëndësishme evropiane. Në aplikimin e dorëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në Stadiumet “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”.
Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një veprimtarie të tillë kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen. Shqipëria është kualifikuar nga Komisioni i Tenderimit si një vend që i ka të gjitha aftësitë, kapacitetet dhe plotëson kriteret për organizimin e një Kampionati Evropian për moshat e reja. Sigurimi i të drejtës për organizimin e një Kampionati Europian futbolli, nëse ky besim do t’i jepet nga UEFA në mbledhjen Komitetit Ekzekutiv javën e ardhshme, do të ishte padiskutim aktiviteti dhe ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon.
Organizimi i një Evropiani tejkalon pa asnjë dyshim dhe organizimin e jashtëzakonshëm të finales historike të Ligës së Konferencës. Për këto turne që ka aplikuar Federata Shqiptare e Futbollit do të jenë pjesëmarrëse 8 skuadra, dhe do të zhvillohen 15 ndeshje të cilat për nga niveli organizimit janë të barabarta me finalen e Ligës së Konferencës, të zhvilluar majin e vitit të shkuar në Tiranë.
Në të njëjtën kohë me marrjen e të drejtës së organizimit të një veprimtarie kaq madhore, lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Shijak, Rrogozhinë e Kavajë.