Sektori i Gjyqtarëve në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) po zhvillon këto ditë disa seminare fizike dhe teorike me të gjithë gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e Kategorisë Superiore. Në këto seminare po marrin pjesë rreth 50 gjyqtarë, dhe shefi i Sektorit të Gjykimit në FSHF, Sokol Jareci, ka folur mbi qëllimin e tyre.
“Sot është dita ku ne përpara rifillimit të sezonit bëjmë analizën e performancave të arbitrave. Prezentë kemi arbitrat dhe asistentët e “Abissnet Superiore”, ku ne do të analizojmë punën e tyre nga momenti i fillimit deri në javën e 15-të, ku përveç vendimmarrjeve në fushë, tashmë kemi edhe vendimet e sistemit VAR. Pjesë e seminarit do të jenë edhe testimet, ku testimi fizik ishte dje në “Elbasan Arena” ndërsa sot do të kemi testimin teorik. Seminari do të vazhdojë edhe nesër ku bashkë me arbitrat do të jenë edhe vëzhguesit e kësaj kategorie. Sektori i Arbitrimit organizon një herë në pesë javë një takim pune me të gjithë arbitrat e kësaj kategorie, ku analizohen ndeshjet e pesë javëve, por ky është një seminar më i zgjeruar ku ka edhe informacione të ardhura nga FIFA dhe UEFA, në lidhje me vendimet e arbitrave në fushë por edhe me vendimet e sistemit VAR. Sot po diskutojmë punën e vendimeve të marra për të përmirësuar pjesën tjetër të sezonit, ku është edhe pjesa më e vështirë, si për mbylljen e “Abissnet Superiore”, ashtu edhe për ndeshjet e Kupës” – shprehet Jareci.
“ Ne e kemi diskutuar shpesh, nga vendimet që janë marrë nga sistemi VAR, rreth 93% e vendimeve kanë qenë pozitive, që kanë krijuar besim si te lojtarët në fushë, te stafet drejtuese por edhe te të gjithë ata që ndjekin “Abissnet Superiore”.
Ndërkaq, në një prononcim të shkurtër për fshf.org, edhe arbitri Juxhin Xhaja vlerësoi sistemin VAR, duke i konsideruar ndërhyrjet e tij si deçizive në mbarëvajtjen e kampionatit të “Abissnet Superiore”.
“ Zhvilluam ditën e djeshme testet fizike në Elbasan dhe sot e nesër do të zhvillohet seminari në FSHF, ku do të konsistojë me seminarin teorik, me analizën e 15 javëve kampionat që kanë kaluar dhe me testet teorike”.
“Siç dihet, sistemi VAR është një risi dhe është praktikuar në të gjithë kampionatet europiane, ku në Shqipëri mendoj se është shumë pozitive, ku shumë gabime në fushë të arbitrave janë përmirësuar nga sistemi VAR. Kështu që mendoj që gjatë gjithë këtyre javëve kampionat, ndërhyrjet e VAR-it në kampionat kanë qenë shumë deçizive në mbarëvajtjen e kampionatit”.