RTSH Sport Live

Fundjavë pozitive për legjionarët në Europë

  • 16/01/2023
  • |
  • Kombëtarja
Fundjavë pozitive për legjionarët në Europë

Mund të konsiderohet një fundjavë pozitive për legjionarët tanë në kampionatet europiane. Shqiptarët e Serie A u vëzhguan nga afër nga trajneri i ekipit Kombetar Sylvinho i cili asistoi në ndeshjet Roma-Fiorentina dhe Inter-Verona.

Pas 90 minutave që zhvilloi ndaj Genoa-s në 1/16-tat e Kupës, Marash Kumbulla rikthehet edhe një herë titullar me Romën. Qendërmbrojtësi shqiptar luajti per 90 minuta në takimin e zhvilluar ndaj Fiorentinës të fituar me shifrat 2-0 nga kryeqytetasit. Paraqitja e mirë e 22-vjeçarit jep shpresë për të ardhmen.

90 minuta të plota edhe për Elseid Hysaj-n. Në takimin Sassuolo-Lazio të mbyllur me shifrat 0-2, 28-vjeçari ishte titullar, pasi Lazzari ishte I pezulluar për shkak kartonësh.

Inter fiton ndaj Veronës me shifrat 1-0, ndërsa Kristjan Asllani u aktivizua për 35 minuta. Mesfushori dha sinjale pozitive, madje mund të kishtë shënuar 10 minuta nga përfundimi i takimit nëse shënjestra do të ishte e saktë.

Enis Çokaj po gjen hapësirat e munguara te Panathinakos. Mesfushori hyri në fushë në minutën e 74', me ekipin kryegytetas qe fitoi me shifrat 1-0 ndaj Pas Janinës. Pika më e dobët e Kombëtares është porta, pasi si Strakosha ashtu edhe Etrit Berisha nuk po aktivizohen nga Brentford dhe Torino.