“Liberty Media” e pranon se kostoja e Çmimit të Madh të Las Vegasit në Formula 1 është rritur, por këmbëngul se i gjithë ky eveniment do të jetë një sukses financiar. Kjo garë është e para që promovohet dhe organizohet nga kompania që zotëron të drejtat e Botërorit të Formulës 1, me mbështetjen e autoriteteve të qytetit dhe organizatat kryesore të kazinove. Në fillim, “Liberty Media” bleu tokën në të cilën ndërtoi një pistë dhe strukturën e garazheve, por gjithçka u bë me ritme të shpejta për të qenë gati për garën e planifikuar për në nëntor të këtij viti. Përveç kostove të parashikuara, lindën edhe kosto të tjera shtesë të lidhura me rrugët që do të përfshihen në pistë, por edhe çështje të tjera.
“Unë jam i kënaqur të them se përgatitjet po shkojnë sipas parashikimeve”, - deklaroi kreu ekzekutiv i “Liberty Media”, Greg Mafei, në një videokonferencë me analistët e “Wall Street”-it. “Pavarisht trysnisë së kostove në rritje, ne nuk presim ndryshime sa u përket të ardhura dhe përllogaritjeve paraprake të fitimit”, - ka këmbëngulur ai, duke vijuar: “Edhe pse po rrisim nivelin e kapitalit fillestar për punimet në pistë dhe në strukturën e garazheve, ne mbetemi besimplotë se ky projekt i jashtëzakonshëm, do të përligjë investimin në rritje që ne po bëjmë dhe do të përmbushë pritshmëritë sa i përket fitimit”.
Këto deklarata erdhën përtej faktit se kryefinancieri i “Liberty Media”, Brajënn Uillding konfirmoi se kostot janë rritur përtej përllogaritjeve financiare, por sqaroi se 85% e punës me strukturën e garazheve ka përfunduar, ndërsa po zgjat pak më tepër puna me pistën.