RTSH Sport Live

Gjermani-Spanjë, finalja e Europianit U17

  • 12/05/2022
  • |
  • Futboll Bota
Gjermani-Spanjë, finalja e Europianit U17
Eleminohen në raundin gjysmëfinal Franca e Holanda, të dielën dueli për trofeun

Gjermani – Spanjë. Kjo është finalja e Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç në futboll për femra, që është duke u zhvilluar në Bosnje-Hercegovinë dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Gjermania, jo vetëm kampione në fuqi, por dhe shtatë herë mbajtëse e këtij trofeu, ka mundur në raundin gjysmëfinal Francën, 1-0.

Ka vlejtur goli i Sehitler në të 40’, që është mbrojtur me fanatizëm nga gjermanet, të cilat kërkojnë titullin e tetë kampion Europe për këtë kategori tek vajzat. Tjetër melodi në gjysmëfinalen e dytë, atje ku Spanja ka mundur lehtësi 3-0 Holandën. Nina ka nënshkruar dygolëshin e saj në të 3’ dhe në të 69’ dhe “vulën” suksesit të iberikeve ia ka vendosur Enrike në të 96’.

Spanja është katër herë fituese e Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç femra, kurse finalja luhet të dielën në ora 20:00 dhe do të vijë në mënyrë ekskluzive në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar si i gjithë ky aktivitet Europian.