Mesjava rikthen Ligën e Kampioneve me ndeshjet e 5-ta të fazës së grupeve dhe një nga titullarët kuqezi që do të zbresë në fushën e blertë në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës është edhe Berat Gjimshiti. Skuadra e tij, Atalanta, do të përballet në Zvicër me Jang Bojs të Bernës dhe italianët do kërkojë kualifikimin në një grup, ku gjenden së bashku me Mançester Junajtid dhe Vijareali. Duke folur për këtë ndeshje, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka theksuar se kundër skuadrës zviceriane do të jetë një ndeshje e vështirë, por i motivon fakti që kundër Specias në kampionat arritën të shënonin plot 5 gola dhe kjo sipas mbrojtësit të Atalantës është diçka pozitive.
“Do të luajmë si gjithmonë, do të shkojmë për të fituar ndeshjen. E dimë që do të ketë vështirësi, do të luajmë edhe në një fushë me bar sintetik. E dimë që do të jetë e vështirë dhe provuam edhe në ndeshjen e parë ndaj tyre, por do të kërkojmë të luajmë më mirë. Të shënonim 5 gola kundër Spezia ishte një sinjal i mirë, këtë vit nuk ka ndodhur shpesh dhe na jep shumë besim.”)
Atalanta mban vendin e 3-të, me 5 pikë pas 4 ndeshjesh, dy pikë më pak sesa Vijareali dhe Mançester Junajtid, që ndeshen me njëra-tjetrën në takimin tjetër të grupit, por për Gjimshitin, skuadra italiane do të përqendrohet tek ndeshja e saj.
“Jam i bindur që do të shkojmë në Zvicër për të bërë një ndeshje të madhe. A do të kushtëzohemi nga rezultati i ndeshjes mes Vijarealit dhe Mançester Junajtid? Nuk besoj, ne do të zbresim në fushë dhe do të japim maksimumin për të fituar. Nuk na intereson se çfarë bëjnë të tjerët. Nëse marrim pikët tona, atëherë kalojmë grupin dhe me këtë mentalitet duhet të luajmë.”)