Gjyqtarët shqiptarë të futbollit vijojnë me hapa të vegjël, por të sigurt, ecjen drejt nivele të reja në arenën ndërkombëtare. Kështu, së fundi është mësuar se Komiteti i Gjyqtarëve të UEFA-s ka vendosur që gjyqtari shqiptar, Enea Jorgji, të jetë pjesë e projektit “Talent & Mentor 2022” të organizmit që qeveris futbollin kontinental për të trajnuar gjyqtarët e nivelit të kategorisë së parë. Ky është një lajm i mirë për Jorgjin, por edhe për gjyqtarët shqiptarë, pasi i jep mundësi atij që brenda pak kohe të jetë ndër emrat e gjykimit elitar në UEFA.
Në dhjetor të vitit kaluar ai hyri në histori si gjyqtari i parë shqiptar që u bë pjesë e kategorisë së parë me një vendim të Komitetit të Gjyqtarëve të UEFA-s. Kjo i jep mundësi Enea Jorgjit të jetë gjyqtar në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, deri në ndeshjet eliminatore para grupeve, si dhe në ndeshjet e Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës, duke përfshirë edhe ato në grupe, por edhe ndeshjet e ekipeve përfaqësuese të të rriturve gjatë fazave eliminatore.
Ndërkaq, lajmi tjetër i mirë është vendimi i UEFA-s për gjyqtaren Erinda Kume, e cila është përzgjedhur për të marrë pjese si anësore në fazën finale të Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçareve për femra, që nis të hënën në Republikën Çeke.
Është hera e parë që një gjyqtare femër nga Shqipëria merr pjesë në një event të kësaj rëndësie. Kume, e cila është e pajisur me stemën e FIFA-s, është caktuar fillimisht si gjyqtare anësore në ndeshjen Angli-Norvegji.