Sezoni nuk ka përfunduar ende në Serie A, por Juventus tashmë po lëviz. Qëllimi është të shfrytëzojë mundësitë në dispozicion dhe t’i japë Allegrit një grup të aftë për të luftuar për titullin e radhës. Juve po kërkon elementë të duhur që mund t’i transferojë falas. Në syrin e bardhezinjve janë Angel Di Maria, Paul Pogba apo edhe Ivan Perisic. Klubi bardhezi ka mundësinë e madhe të “hakmerret” ndaj Marotta-s, i cili duket se i ka vënë syrin Paulo Dybala-s.
Kroati, i cili ishte vendimtar në finalen e Kupës, në momentet menjëherë pas sfidës dërgoi një mesazh që shqetësoi gjithë ambjentin zikaltër. ‘Nuk mund të presësh ditët e fundit për të rinovuar kontratën’, do të shprehej Perisic në fund të takimit.
“Gazzetta dello Sport” e bën fakt të kryer transferimin e 33-vjeçarit në Torino. Klubi bardhezi ka ofruar një kontratë 2-vjeçare plus rinovim për një të tretë me 5 milionë euro në sezon duke përfshirë bonuset. Një lajm që është konfirmuar edhe nga gazetari pranë klubit torinez, Marçelo Kiriko, i cili në një postim dha përditësime interesante. Sipas tij marrëveshja mund të finalizohet nga momenti në moment.