RTSH Sport Live

Goga Basket tërhiqet nga kampionati

  • 15/09/2021
  • |
  • Basketboll
Goga Basket tërhiqet nga kampionati
Citon dështimin e Ligjit për Sportin dhe Ligjit të Sponsorizimeve si arsye kryesore

Basketbolli shqiptar ka marrë një lajm të pakëndshëm të mërkurën në mbrëmje, teksa është bërë e ditur se këtë sezon di të mungojë një nga protagonistet më të spikatura të parketit në vend. Nëpërmjet një postimi në profilet e saj në rrjetet sociale, Akademia Sportive Goga ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në sezonin 2021-2022 të Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj. “Mospjesëmarrja jonë është deklaruar në muajin maj të këtij viti nëpërmjet një njoftimi drejtuar Presidentit të Federatës së Basketbollit, - shkruan Akademia private sportive durrsake, e cila ka rreshtuar edhe arsyet që e çuan në këtë vendim.

 “Sot ekziston një ligj për sportin që nuk zbatohet nga pushteti vendor si dhe ekziston po ashtu një ligj për sponsorizimet që nuk ka asnjë ndikim për të afruar biznesin me sportin, - shpjegon postimi në fjalë. - Investimi ynë në ekipin elitar GOGA BASKET ka qenë një hap i rëndësishëm për promovimin e Pallatit të Sportit “Dhimitraq Goga”, që tashmë renditet ndër qendrat më të mira sportive në vend e rajon. Ky investim gjithashtu qe një hap i domosdoshëm për futjen e një fryme të re, duke dhuruar emocione të forta qytetarëve të Durrësit dhe komunitetit të basketbollit! Jemi krenarë që GOGA BASKET arriti të shpallej “kampione” i Shqipërisë në vitin 2019, nëpëmjet këtij financimi tërësisht privat!”

Duke falënderuar dhe duke shprehur mirënjohjen për të gjithë tifozët, por edhe të gjithë ata biznese që kanë sponsorizuar ndër vite tek ekipi nëpërmjet reklamave, Akademia Sportive Goga e vë sërish theksin tek arsyeja e saj kryesore, duke këmbëngulur: “Sporti ka nevojë për biznesin, si në të gjithë botën, si në çdo lloj sporti, por ndoshta hapi ynë ishtë i parakohshëm! Ndaj rikthehemi sërish në Superligë kur Ligji mbi Sportin do të gjejë zbatim, dhe kur Ligji mbi Sponsorizimet të ndryshohet ashtu siç është premtuar.”

Në mbyllje, Akademia sqaron vazhdon misionin e saj, në promovimin e basketbollit dhe jetës së shëndetshme sportive tek të rinjtë e brezat, teska fokusi i saj është tek ekipet e grupmoshave deri 18 vjeç, tek stërvitjet cilësore dhe identifikimi i talenteve, tek kampet sportive dhe aktitivitetet brenda e jashtë vendit. Natyrisht, ky është një lajm i hidhur për basketbollin shqiptar, që humbet kështu një nga aktorët kryesorë të kampionatit të tij të meshkujve.