RTSH Sport Live

Golden Eagle Ylli, skuadra absolute e Ligës Unike

  • 17/10/2021
  • |
  • Basketboll
Golden Eagle Ylli, skuadra absolute e Ligës Unike
Djemtë nga Suhareka fitojnë dhe Superkupën Mbarëkombëtare, mundin Prishtinën 76-67

Golden Eagle Ylli konfirmohet si skuadra absolute e Ligës Unike, Shqipëri – Kosovë në basketboll për meshkuj. Jo vetëm sepse është fituesja e parë dhe në fuqi, por sepse të dielën në mbrëmje është bërë dhe triumfuese në Superkupën Mbarëkombëtare. Pikërisht në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, në atë transmetim të drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Golden Eagle Ylli ka mundur Prishtinën, 76-67.

Një ndeshje të cilën Ylli e ka vënë nën kontroll që në periodën e parë, të cilën e ka fituar 17-16. Më pas të dytën 23-14 dhe në pushim është në avantazhin e 10 pikëve diferencë, 40-30. Përtej përpjekjeve të Prishtinës, Golden Eagle Ylli administron mirë situatën. 15-18 perioda e tretë për Prishtinën dhe në total 55-48. 21-19 për Golden Eagle Ylli e fundit dhe 76-67 e më pas e gjithë festa është për skuadrën nga Suhareka së bashku me grupimin e tifozëve “Xhebrail”.

Ndërkohë medaljet e argjendta për Prishtinën janë dorëzuar nga drejtori i Ligës Unike, Dreni Zadriqi, dhe sekretari i klubit të basketbollit Vllaznia, Blendi Dibra. Kurse të artat për Golden Eagle Ylli nga presidentët e të dy Federatave, Avni Ponari e Arben Fetahu. Sakaq lojtari më i mirë i Superkupës Mbarëkombëtare ishte Tmusiç, kurse presidenti i Ligës Unike, Ilir Trebicka, ka dhënë kupën për kapitenin e Golden Eagle Ylli, Gëzim Morina.