RTSH Sport Live

Gresi Bajri, kampionia e turneut ndërkombëtar

  • 07/05/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Gresi Bajri, kampionia e turneut ndërkombëtar
Tenistja shkodrane mundi në finale italianen Xhorxhia Pati, 2-1

Gresi Bajri është fituesja e turneut ndërkombëtar të tenisit për moshën deri në 16 vjeç, që u zhvilluan kompleksin “Nacional Park” në Tiranë. Një fitore e jashtëzakonshme për tenisin shqiptar me një talent që premton shumë, ndërsa menjëherë pas finales ka treguar dhe emocionet e saj për mikrofonin e RTSH Sport

“Ishte një finale e gjatë dhe kaloi me tri sete. Ishte emocionuese, setin e parë e fitova me lehtësi. Në setin e dytë, sikur situate më doli nga dora, ndërsa në setin e tretë arrita të mbledh forcat dhe fitova”.

Në finale, Bajri ka fituar pas gati një ore e 15 minutash me italianen Xhorxhia Pati. 6-1, 2-6 dhe 6-2. E kupën për të në ceremoninë e organizuar pas përfundimit të aktivitetit e ka dorëzuar zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.

“Është thjesht një fillim i mirë i vitit, është një nga kampionatet e para që kam bërë këtë vit. Është për motivim dhe për të dhënë shpresë për vazhdimin e vitit”.

Ndërkohë fituesja e turneut europian për këtë moshë ka dhe ambicjet, apo dhe ëndrrat e saj për të qenë një teniste e madhe në vazhdim.

“Do luaj përsëri në kampionate, edhe më të mëdhaja dhe shpresoj të kemë rezultate më të mira”.

I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të kupave si për femra, ashtu dhe për meshkuj, ishte dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, nga i cili mësohet se tanimë do të duhen të gjehen mënyra të tjera që Bajri të ketë një stërvitje të rregullt dhe të vazhdueshme pa u endur sa në Tiranë, Shkodër dhe Ulqin.

“Gresi Bajri ka vështirësitë e veta, sepse sporti i tenisit është i kushtueshëm. Që të bëhesh kampione Bote, kampione Olimpike duhet të hysh në gara çdo dy muaj. Federata është e varfër, nuk ka potenciale financiare, duhen sponsor dhe duhen trajnerë të kualifikuar. Duhet që bashkërisht, Ministria përgjegjëse e sportit, KOKSH, qeveria, Bashkia e Shkodrës dhe të gjithë sponsorat të mundohemi ti bëjmë të gjithë këto energji bashkë që Gresi Bajri të shkojë të përfaqësojë si Serena Uilliams dhe të gjithë tenistët e mëdhenj të Botës”.

A duhet të besojmë për një medalje në Lojërat Mesdhetare të Oranit nga GresI Bajri?

“Unë shpresoj, nuk është e lehtë, por në Oran ne nuk do të kemi vetëm tenisin, por pretendojmë të kemi medalje me peshëngritjen, atletikën, boksin, gjimnastikën, mundjen dhe shpresoj që kjo që do të ndodh në Oran të jetë një ogur i mirë për të gjithë sportin shqiptar”.

Por ndërkohë talenti i Bajrit ka tërhequr dhe vëmendjen e zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, që e sheh tenisin shqiptar një sport me shumë talente.

“Shpresoj se ne do të ecim shumë përpara, por vlen për të theksuar dhe pasioni i Federatës së Tenisit, sepse në këtë event që është europian, realisht nuk është se ka një mbështetje në buxhet veçanërisht për këtë llojë aktiviteti dhe shikojmë se puna është e jashtëzakonshme”.

Për meshkuj fitues doli italiani Pierluixhi Bazile, që në finale mundi amerikanin Natan Masfild, kurse në lojën dyshe triumfoi çifti Forgac (Gjermani)/Magia (Greqi)