RTSH Sport Live

Grima, lista anti-Armeni e Poloni

  • 17/10/2021
  • |
  • Kombëtarja
Grima, lista anti-Armeni e Poloni
22 lojtare të grumbulluara për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Botërorit 2023

Shqipëria në futboll për femra bëhet gati për dy sfidat e radhës kualifikuese të Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”. Të enjten e 21 tetorit, në ora 17:00, kombëtarja që drejtohet nga Armir Grima në Arenën Kombëtare do të presë Armeninë. Dhe pesë ditë më vonë, më saktë më 26 tetor, në ora 19:45 do të luajë përballë Polonisë në “Tiki Stadium”.

E për këto dy ndeshje trajneri i Shqipërisë në futboll për femra, Armir Grima, ka publikuar listën e 22 futbollisteve që do të grumbullohen, teksa gjithçka nis këtë të dielë në Durrës. 15 prej vajzave të grumbulluara për këto sfida aktivizohen me klube të kampionatit shqiptar, 3 në klubet e Kosovës dhe 4 me klube të huaja. Ndryshimet në listë krahasuar me grumbullimin e fundit janë të vogla, teksa pjesa më e madhe e futbollistëve bazë të kësaj përfaqësueseje janë aty.

Deri më tani, Shqipëria në futboll për femra në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023” ka marrë vetëm një pikë, kjo pas barazimit 1-1 me Kosovën në “Elbasan Arena”, si dhe humbjes së thellë, 0-7 në transfertën belge.

Shqipëria ndodhet në Grupin F të kualifikueseve të Botërorit, së bashku me Poloninë, Kosovën, Norvegjinë, Belgjikën dhe Armeninë. Ja dhe lista e futbollisteve të thirrura nga trajneri Grima për dy ndeshjet e tetorit me Armeninë e Poloninë.