RTSH Sport Live

Grupi I: Fati i Shqipërisë vendoset në Shtator

  • 29/03/2021
  • |
  • Kombëtarja
Grupi I: Fati i Shqipërisë vendoset në Shtator
Transferta e San Marinos është formale. Vëmendja shkon në “Wembley”

Grupi I nis të marrë formë pas 180 minutave të para të fazës eleminatore ku Shqipëria nuk ka arsye të festojë. Edhe pse jemi ende në fillim të një rruge të gjatë ku sfidat e drejtëpërdrejta nuk kanë trokitur ende, në një pamje të përgjithshme, skuadrat janë pozicionuar sipas vazove nga të cilat u shortuan.

Shqipëria ka zbritur në vendin e 4 me 3 pikë por sipas të gjitha gjasave, pas transfertës së San Marinos, mund të fitojë sërish terren duke llogaritur edhe transfertën e vështirë të Polonisë në “Wembley” kundër Anglisë. Është pikërisht dueli i Londrës që do të tërheqë vëmendjen kryesore në grupin I për raundin e fundit të kësaj faze eleminatore pasi Polonia është gjithashtu një nga pretendentët krysorë për të siguruar një biletë të drejtëpërdrejtë për në Katar 2022.

Po në orën 20:45, Hungaria do të tentojë të rrëzojë kalanë andorriane në një 90 minutësh që mund të rezultojë i komplikuar pasi në shtëpinë e tyre, ekipi i vogël nga principarta e Pirenejve ka treguar një sjellje më agresive. Momentalisht, Hungaria mban vendin e dytë me 4 pikë dhe raundi i tretë mund ta favorizojë këtë skuadër që të fitojë terren në rast të një suksesi në Andorrë.

Pas raundit të parë, eliminatoret për grupin I rikthehen në muajin Shtator me dy sfida vendimtare për Shqipërinë që do të luajë një pjesë të madhe të fatit brenda 3 ditëve në transfertën e Polonisë dhe më pas në Tiranë kundër Hungarisë.

Beteja për vendin e parë duket e humbur që në start por kombinimet e mundshme na favor të kuqezinjve dhe rikthimi te vazhdimësia në rezultate, lënë një spirale shprese në horizont për vendin e dytë.