RTSH Sport Live

Grupi I, me sytë nga sfidat e nëntorit

  • 13/10/2021
  • |
  • Boterori Katar 2022
Grupi I, me sytë nga sfidat e nëntorit
Anglia, favorite për vendin e parë, Polonia, fituesja e madhe e së martës

Grupi I i Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” ka luajtur të martën në mbrëmje 3 takimet e 8-ta të tij dhe Hungaria ka shtangur Anglinë në Stadiumin “Uembli”, duke i marrë një barazim 1-1. Sallai i ka kaluar hungarezët në epërsi në minutën e 24-t, duke ruajtur gjakftohtësinë dhe duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Megjithatë, Anglia do të kundërpërgjigjet dhe 13 minuta më pas, do të barazojë shifrat me anë të Stouns.

Në barazim 1-1 do të mbyllet pjesa e parë në Londër, ndërsa pjesa e dytë nuk do të sjellë gola të tjerë dhe hungarezët marrin nj pikë prestigji, që nuk para u vlen shumë, por që sidoqoftë shtyn çështjen e kualifikimit të anglezëve për dy ndeshjet e fundit. Anglia mban kreun e renditjes me 20 pikë, 3 më tepër sesa Polonia, e cila ishte fituesja e madhe e së martës, pasi triumfi minimal në Tiranë ndaj Shqipërisë, jo vetëm që e ngjiti në krye të renditjes, por edhe e afroi me vendin e parë.

Një vend i parë që, të paktën hipotetikisht, është i hapur teksa kanë mbetur edhe 6 pikë në lojë, ndonëse praktikisht është mjaft e vështirë. Shqipëria ka mbetur në vendin e 3-të, me 15 pikë, dhe, për të shpresuar për vendin e dytë, duhet t’i marrë të 6 pikët e mundshme në dy ndeshjet e fundit, çka nënkupton se duhet të mundë Anglinë në “Uembli”, por edhe Andorrën dhe të shpresojë që Polonia të mundet më 15 nëntor në Varshavë nga Hungaria, e cila është eliminuar edhe matematikisht nga beteja për dy vendet e para.

Sa i përket fundit të renditjes, aty gjithçka është e zgjidhur, pasi, me fitoren 3-0 të arritur në duelin e Principatave, Andorra ka plotësuar triumfin e dyfishtë ndaj San Marinos dhe ka siguruar 6 pikë historike që e konsolidojnë në vendin e parafundit. Sikundër pritej, do të jetë nëntori që do të vendosë gjithçka në këtë grup, ndonëse gjasat që renditja aktuale të përmbyset janë të vogla.