RTSH Sport Live

Guardiola  i kujdesshëm: Gara për titull nuk është mbyllur

  • 09/03/2021
  • |
  • Angli
Guardiola  i kujdesshëm: Gara për titull nuk është mbyllur
“Ne ende kemi 10 ndeshje dhe duhet të fitojmë gjashtë ose shtatë për të mbyllur diskutimin matematikisht”

Pep Guardiola ka bërë komentin e radhës në prag të sfidës, që skuadra e tij, Manchester City do të zhvillojë kundër Southampton në Premier League. Trajneri katalanas flet pas humbjes në derbi që ndërpreu serinë e 21 fitoreve radhazi. Dhe ai beson se United ende ka shanse për të penguar garën e Qytetarëve drejt titullit. "Çdo gjë mund të ndodhë në futboll. Ne ende kemi 10 ndeshje dhe duhet të fitojmë gjashtë ose shtatë për të mbyllur diskutimin matematikisht. Ka ende shumë punë për të bërë nëse duam ta fitojmë titullin në Premier League". Kur kanë mbetur edhe 10 javë deri në fund të kampionatit, City është në vend të parë me një epërsi prej 11 pikësh ndaj kushërinjve të tyre.

Trajneri katalanas ka folur edhe për rikthimin e Laporta te skuadra e Barcelonës. Një personalitet kryesor në karrierën e menaxherit aktual të Manchester City, i cili u promovua si trajner i ekipit të parë blaugrana në 2008, duke i dhënë jetë një cikli që ndodh një herë në jetë: "Urime presidentit Laporta që u zgjodh. Personaliteti i tij do të ngrejë humorin. Unë i uroj të gjitha të mirat për këtë sezon dhe sezonet e ardhshme".