RTSH Sport Live

Gurabardhi: Ne, të aftë për trofe

  • 21/09/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Gurabardhi: Ne, të aftë për trofe
Tirana e rrjetës për femra, tashmë me lojtare të huaja, sfidon pretendentët

Hasan Gurabardhi, trajneri i Tiranës në volejboll për femra, është kthyer në krye të bardhebluve pas 11 vitesh. Për herë të fundit ishte në krye të kësaj skuadre në sezonin 2011-2012 dhe duke vlerësuar rolin e sekretares së klubit shumësportësh Tirana, Deborah Keçi, tregon dhe përvojën e tij të re.

"U ndjeva mirë, sepse mosha bën të veten. Por ti e di që kam patur kujtime shumë të mira nga Tirana. Ndoshta kam dhe një peng që ka humbur një titull kampion Tirana pas largimit tim. Kjo ka ndodhur një muaj e gjysëm para përfundimit të kampionatit më 2012-ën. Dhe unë dua ta rikthej atë", thotë Gurabardhi.

Tirana humbi në gjysmëfinalen e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, 1-3 me Skënderbeun, dhe fitoi në javën e parë të kampionatit, 3-0 ndaj Pogradecit. Ja se si e sheh skuadrën Gurabardhi, tashmë me lojtare të huaja në skuadër.

"Normalisht e humbëm. Por edhe atë ditë u treguam dinjitoz sepse me një pasuese me perspektivë si Ibrahimi qëndruam fort dhe rivalë të denjë. Por ekipi është shumë i mirë. Përveç organizatores senegaleze ka ardhur dhe një shutere kubaneze. Kemi Brahon, por dhe një grup lojtaresh me perspektivë", shpjegon Gurabardhi.

Ndeshja e radhës për bardheblutë do të jetë me Teutën në sallën sportive “Farie Hoti” në ora 17:00 të premten. Fitorja jo vetëm e ndeshjes, por e të gjitha trofeve ky është objektivi i Gurabardhit.

"Ne jemi përgatitur për ta fituar ndeshjen sepse po të jesh tek Tirana duhet të jesh i përgatitur për të marrë trofe. Që do të thotë fitorja e kampionatit, trofetë e të tjerë. Sepse unë me atë objektiv po shkoj", përfundoi i pari i pankinës së Tiranës në volejboll për femra.