RTSH Sport Live

Gurishta mban në ankth Vllazninë

  • 26/04/2023
  • |
  • Kupa e Shqipërisë
Gurishta mban në ankth Vllazninë
Mbrojtësi duhet të shtrëngojë ‘dhëmbët’, Sedloski ka në plan edhe dy lëvizje

Një finale për tu arritur, e treta radhazi e Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë, por kundër një rivali me të cilin ka të kryqëzuar fatet për në Europë. Pasi kanë humbur dy e barazuar një në tre precedentët e këtij sezoni, për kuqeblutë vjen një përplasje e trefishtë, pothuaj e njëpasnjëshme, me Egnatian. Një ndeshje shumë e rëndësishme, ajo e para gjysëmfinale, edhe për faktin se luhet në Loro Borici, e ku Sedloski luan shanset e para direkte të një prej trofeve në lojë. Maqedonasi ka vetëm ankthin për gjendjen fizike të Erdenis Gurishtës.

Kapiteni vuan një lodhje muskulare, por sipas stafit mjekësor duhet të jetë gati për ndeshjen e nesërme. Mbrojtësi i djathtë duhet të shtrëngojë dhëmbët për të ndihmuar skuadrën në kërkim të një trofeu që do të justifikonte sezonin, duke përmbushur në të njëjtën kohë edhe prezantimin në Europë, që nga kampionati nuk është shumë i sigurtë. Qarri ishte portieri i Kupës me Josën e duhet parë nëse edhe Sedloski do ta shohë në këtë këndvështrim. Linjame katër mbrojtës do të ndryshojë vetëm nëse Gurishta nuk ia del.

Bulatovic, Juric e Hakaj janë të sigurtë, ndërsa Smajli mund të zëvendësojë kapitenin. Në mesfushë pritet Alivoda nga fillimi, me Markun e Jonuzin. Lëvizjet më sinjifikative duhet të jenë përpara, ku Sedloski është i tentuar të provojë vijën e parë me Kaina e jo me Balahjn, të mbështetur nga Latifi e Hoxhaj, që duhet të ulë në pankinë Çobën. Vllaznia ka vetëm një fitore në 8 ndeshjet e fundit dhe e ka të qartë se kjo është një nga ato takime që nuk duhet absolutisht humbur…