RTSH Sport Live

Halimi nuk mjafton, Kosova mundet nga Spanja

  • 31/03/2021
  • |
  • Kosova
Halimi nuk mjafton, Kosova mundet nga Spanja
“Dardanët” janë mundur 3-1 në përballjen me Spanjën, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022

Përtej tensioneve dhe pretendimeve të Spanjës, që nuk e njeh Kosovën, takimi midis përfaqësueseve të të dy vendeve është zhvilluar të mërkurën në mbrëmje në Stadiumin “La Kartuha” të Seviljes. Në fakt, edhe flamuri i Kosovës është shpalosur në stadium, por edhe himni i saj është interpretuar, ndonëse titrat e televizionit spanjoll e kishin emrin e Kosovës me shkronja më të vogla.

Trajneri vendas, Luis Enrike, i cili ka mbërritur me vonesë në stadium, ka aktivizuar në formacionin titullar Simonin, Jorenten, Garsian, Martinezin, Zhordi Albë, Pedrin, Busketsin, Kokenë, Ferran Torresin, Moratën dhe Olmon, kurse homologu Bernard Shalondë ka rreshtuar në 11-shen bazë Ujkanin, Vojvodën, Dreseviçin, Alitin, Kolollin, Hadergjonajn, Halimin, Kryeziun, Celinën, Muriqin dhe Rashicën.

Kosova ka rezistuar mjaft mirë për mëse gjysmë ore përballë trysnisë gjithnjë në rritje të spanjollëve, por është thyer nga dy gola të shpejtë të Daniel Olmos dhe Ferran Torresit, në minutat 34 dhe 36. Me epërsinë dygolëshe të iberikëve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat, Kosova do të gjejë edhe golin në të 70-ën, kur Besar Halimi përfiton nga dalja e gabuar e portierit Unai Simon.

Por Spanja do të gjejë një gol tjetër 5 minuta më pas, me anë të të sapofuturit Gerard Moreno, duke fiksuar kështu fitoren e Spanjës në shifrat 3-1 dhe Kosova pëson humbjen e dytë radhazi në po aq ndeshje të grupit B të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.