12 ndeshjet e fundit vetëm dy humbje e një barazim, të tjerat janë fitore që e kanë sjellë Kukësin e Rrahman Hallaçit vetëm tri pikë nga vendi i tretë, pronë ekzaktësisht e kundërshtarit të javës së 27 të Superiores, Egnatias. Nuk është absolutisht një ndeshje e lehtë, por tekniku e di mirë se një fitore do ta bënte menjëherë favorit për zonën europiane. Edhe pse me qetësinë që e karakterizon, Hallaçi mundohet më parë të mbrohet nga skuadrat që i vijnë nga pas, me zonën playout vetëm dy pikë larg.
“Egnatia është një skuadër e mirëorganizuar, me lojtarë shumë cilësorë, i njohim, po punojmë që të kemi kujdes ndaj lojtarëve të tyre kryesorë, por dhe nga pjesa tjetër. Për momentin do të shikojmë vetëm skuadrat që kemi poshtë, që tu largohemi sa më shumë. Skuadra është stërvitur mirë, nuk kemi dëmtime. Kemi vetëm Delimeđac, mesfushori i qendrës, i cili ka një shqetësim dhe për këtë ndeshje nuk do jetë”.
7 gola në 10 ndeshje me Egnatian janë një kartvizitë e të gjithë respektit për Dëamena. E nëse tekniku i Kukësit nuk e përmend me emër, është për të mos frikësuar asnjë nga lojtarët e tij. Sidoqoftë, sulmi rrogozhinas është ai që duhet ndalur dhe Hallaçi është i bindur se masat i ka marrë.
“Nuk dua të përmend emra. Kuptohet, sulmi i tyre ka bërë mirë, kanë lojtarë cilësorë siç janë dy sulmuesit kryesorë, kanë dhe një lojtar anësor, por nuk dua që ti mbivlerësoj. Faktikisht sulmin e kanë të mirëorganizuar, dinë të dalin përpara me shpejtësi, por ne i kemi marrë masat dhe me lojtarët që kemi, me grupin që kemi, mendoj se do ia dalim”.
Eksperienca në këtë rast mund të jetë e rëndësishme dhe ajo anon nga verilindorët. Megjithëse, me kalendarin tepër të ngjeshur dhe luhatjet e të gjitha skuadrave të Superiores, Hallaçi mendon se diferencat do të bëhen në fushë e jo në statistika.
“Ndoshta kemi më shumë eksperiencë më shumë se Egnatia, por në fushë pastaj është diçka tjetër. Prandaj thashe që cilësia që ka Egnatia kërkon kujdes. Nuk shikoj favoritë, të gjitha skuadrat po shikojmë që po bëjnë maksimumin, nuk ka shumë dallim nga vendi i fundit tek vendi i parë”.
Kukësi me 35 pikë pas 26 javësh është në vijën e hollë të kuqe mes garës për mbijetesë dhe asaj për Europë. Egnatia mund të jetë pika vendimtare e marrjes së drejtimit dhe blutë duhet ta bëjnë, ashtu si pohoi vetë Hallaçi pa mesfushorin boshnjak Delimeđac.