RTSH Sport Live

Hamilton-Mercedes, ende nuk është zgjidhur...

  • 19/01/2021
  • |
  • Formula 1
Hamilton-Mercedes, ende nuk është zgjidhur...
Piloti britanik, aktualisht është i papunë. Por Ekleston është i mendimit se kjo vonesë në arritjen e marrëveshjes është thjesht një show

Statusi aktual i një të papuni luksi, duket se nuk po e shqetëson më Lewis Hamilton. Ai është në pritje të zgjidhjes së kushteve të kontratës së re me Mercedes, në mënyrë që të kënaqen të dy palët. E ndërkohë po kalon pushimet në vend malor, ku mbizotëron bora. Por një 90-vjeçar, personazh kryesor në botën e Formula 1, jep mendimin e tij për të ardhmen e 7 herë kampionit të botës.

Edhe pse në atë moshë, tepër i kthjellët në mendime, Bernie Ecclestone thotë: "Gjithçka është një show"! – duke theksuar se kjo marrëveshje po zgjatet për të tërhequr vëmendjen të gjithëve, në këto javë të trishta dimri. Nuk thotë fjalë të përgjithshme Bernie, por zgjedh diçka më të saktë duke iu referuar Eddie Jordan, ish-drejtuesit kryesor të skuadrës, që pas shumë ndryshimeve emrash, tashmë quhet, Aston Martin.

Ai, jo më shumë se para disa ditësh ka thënë për Toto Wolff e drejtuesit Daimler, se ata do t’i tregonin derën Hamiltonin. Pra në pritje të deklaratave të palëve të interesuara, nuk mungojnë zërat për këtë çështje. Por të duket se të gjithë janë dakort me thënien e Shekspirit: “Shumë zhurmë për asgjë”.

Por kur në mes janë miliona dollarë, nuk është më një asgjë. Pa këtë detaj, sigurisht jo dytësor, pilotin britanik do ta donin të gjithë në skuadër, por vetëm Mercedes, mund t’ia plotësojë këtë tekë luksi Hamiltonit.