RTSH Sport Live

Hamilton: Nuk mund të bëja më shumë, Verstapen e meritoi

  • 11/12/2021
  • |
  • Formula 1
Hamilton: Nuk mund të bëja më shumë, Verstapen e meritoi
Britaniku, pas kohës së dytë më të mirë në provat zyrtare në  Abu Dhabi, njeh meritat e kundërshtarit

Lewis Hamilton, në garën vendimtare në Abu Dhabi, do të duhet të startojë pas rivalit të tij të madh në garën për titull, Max Verstappen, I cili arriti të sigurojë vendin e parë në provat zyrtare. Një zhgënjim i pjesshëm për shtatë herë kampionin e botës, i cili megjithatë në fund të kualifikueseve njeh meritat e kundërshtarit të tij: "Maks bëri një xhiro të shkëlqyer, ne nuk mund të konkurronim me kohën e tij. U nisëm me gjithë forcë, por nuk mund t’i përgjigjeshim”.

“Gjithsesi, jemi në një pozicion të mirë, gomat tona duhet të jenë më të mirat për nesër dhe shpresoj të kemi një garë të mirë. Nuk mund të shkoja më shpejt, Verstappen e meritonte këtë pole position. Unë jam në rreshtin e parë, ka një ndryshim në goma dhe do të përpiqemi të rregullohemi edhe për këtë”, tha ai.

Kampioni britanik i Mercedesit, pra, do të detyrohet të kalojë rivalin e tij në garë pa pasur avantazhin e nisjes nga pole position. Një duel, ai mes dy pretendentëve në kampionatin botëror, i cili do të ketë epilogun e tij në garën e Abu Dhabit, akti i fundit i Formula 1, 2021. Sfida tashmë ka filluar, por vetëm njëri nga të dy do të mund të festojë në flamurin me kuadrate.