27 javë Superligë dhe vendi i parë me 49 pikë, 27 vite pritje dhe Teuta është shumë pranë për tu kurorëzuar si kampione e Shqipërisë për herë të dytë. Ishte sezoni 1993/1994, arriti të fitojë titullin e parë kampion, të vetmin në histori. Trajner i skuadrës në atë kohë, ishte një emër i madh i futbollit, që ka luajtur me Lokomotivën e dikurshme, por dhe me skuadra të tjera si Dinamo e Partizani. Bëhet fjalë për Haxhi Ballgjinin, iI cili në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në Radio Tirana ka theksuar se ka ardhur moment për ti dhënë fund pritjes 27 vjeçare dhe Teuta të fitojë titullin kampion për herë të dytë.
“Situata është mjaft pozitive, aq më tepër që qyteti i Durrësit ka kohë që e prêt dhe një titull të dytë. Ka qënë shumë herë pranë fitimit, por nuk e ka arritur. Besoj se kësaj radhe do e arrijë, pikërisht në 101 vjetorin e klubit. Jam plotë besim dhe shpresoj që titulli në këtë sezon të ndalojë në Durrës”.
“Për mendimin tim, Teuta ka tre sezone që i afrohet shumë titullit kampion. Duke parë organikën që ka, investimet që ka bërë prsidenca e klubit, aq më tepër që donim të festonim 100 vjetorin me një titull. Fati nuk e deshi që 100 vjetorin ta festonim me një titull kampion, e festuam me dy trofe të tjerë: Kupën dhe Superkupën. Por këtë vit, që është 101 vjetori, jam plotësisht i bindur që Teuta do të dalë kampion”.
“Tashmë janë pjekur të gjitha kushtet, janë krijuar të gjitha mundësitë për të arritur tek suksesi. Ka bërë investime aty ku ka patur nevojë për ta përforcuar sa më shumë. Kupa në këtë sezon? Besoj se do ti fitojmë të dy trofetë. Nuk jam euforik kur e them këtë, thjësht flas si një qytetar, një ish-futbollist i qytetit të Durrësit. Shikoj organikën, shikoj moralin, gëzimin që ka grupi”.
“27 vite pritje nga titulli i parë? Është një periudhë e gjatë. Kemi patur mundësi për të fituar edhe në vitet e mëparshme, madje kemi dështuar edhe në ndeshjen e fundit. Edhe në sezonin e kaluar ishim pranë. Por këtë vit jemi shumë pranë dhe nuk besoj të ndodhë ndryshe, jam besimplotë”.