RTSH Sport Live

Hazard: Nuk kam mbaruar, do t'ia tregoj Realit

  • 01/06/2022
  • |
  • Spanjë
Hazard: Nuk kam mbaruar, do t'ia tregoj Realit
Belgu dëshiron të tregojë veten pas viteve të fundit në hije me fanellën e Blancos

Fitoi një La Liga dhe Champions League me Real Madridin, por nuk ishte protagonist. Eden Hazard është në kërkim të formës së tij të dikurshme dhe ka besim se viti i ardhshëm do të jetë ai i rilindjes së tij. Nga grumbullimi i kombëtares belge, në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, ish-playmakeri i Chelseat ka folur për momentin e tij dhe dëshirën për të kompensuar sezonin e ardhshëm.

"Nuk kam më probleme me gjurin, gjithçka është në rregull. Më duhet të bëj një përgatitje të mirë fizike dhe mendore për të qenë gati për sezonin e ardhshëm", tha Hazard. "Dua të tregoj se nuk kam mbaruar, se kam ende shumë për të dhënë. E di se mund ta bëj: gjithçka që duhet të bëj është të luaj dhe shpresoj të kem shanse vitin e ardhshëm”.

Vetëm atëherë do të shohim të vërtetën. Eden Hazard përsëri, nuk ka dyshim. “Unë kurrë nuk kam dashur të largohem nga Reali sepse e di që mund të jap kontributin tim për klubin; deri më tani nuk kam qenë në gjendje të shprehem sa më mirë në fushë dhe klubi e di këtë”.

Një pasazh edhe për kolegët e Realit dhe jo vetëm: "Topi i Artë? Nuk ka dyshime të mëdha. Sadio Mané, Vinicius dhe lojtarë të tjerë bënë një sezon të mrekullueshëm, plot fitore. Por nëse marrim parasysh gjithçka, Benzema do ta fitojë 99%. Shpresoj për të, e meriton”.

“Courtois? Nuk mendoj se mund ta fitojë por do të jetë në top pesë, në rastin më të keq në top dhjetë. Në Champions League finalja ishte fantastike, por në ndeshjet e mëparshme… Nga ana tjetër, Karim e kemi vënë re në çdo ndeshje. Nuk duhet harruar as fitorja me Francën në Ligën e Kombeve. Dhe në La Liga ishte mbresëlënës".