Garohet në tokën e historive të jashtëzakonshme dhe luftrave të paepura mes kaubojve dhe indianëve, garohet në tokën ku sherifët u përpoqën të vendosin rregull dhe të qëndronin mbi të tjerët. Garohet në Teksas dhe padyshim, sherifi i Çmimit të madh të Ostin është Luis Hemilton. Britaniku ka mundur të triumfojë plotë pesë herë, ka siguruar shtatë herë podiumin dhe në tre raste pole position.
Numra që rëndojnë jo pak dhe Maks Verstapen është i paralajmëruar. Një provë e vërtetë për holandezin e Red Bull, që duhet të shtrëngojë dhëmbët në një pistë tepër të vështirë dhe që favorizon kundërshtarin e tij.
Ishte një përshkrim i shkurtër i spektaklit që do të shikojmë të dielën në RTSH Sport. Verstapen dhe Hemilton pritet të dhurojnë një tjetër duel kokë më kokë, por pa harruar dhe atë mes Ferrarit dhe McLaren, kokëkuqja është ringjallur pas motorit të ri.
Natyrisht, ndoshta jo dhe aq e fortë sa për të patur rol vendimtar në kampionat, por Leklerk dhe Sainz i kanë xhepat plotë, ashtu si uria për të fituar, që mungon prej plotë 39 garash.
Provat zyrtare, të shtunën në orën 23:00, gara të dielën në orën 21:00, gjithçka në RTSH Sport.