Tirana fiton dhe vazhdon marshimin drejt kreut të klasfikimit. Bardheblutë, drejtuar nga Orges Shehi “fshijnë” 1-2 Kukësin në transfertë, përballje e vlefshme për javën e katërt të Superiores.
Një pjesë e parë e bllokuar, ku pothuaj askush nuk shqetësoi portierët. Pak raste, e shumë faulle të shkaktuara për të entuziasmur publikun e pakët që ishin në shkallët e stadiumit. Treshja ofensive Latifi-Hasani-Kaina hedhur në fushë nga Orges Shehi u asfiksuan në mbrojtjen e ngjeshur, aq sa tekniku në një moment u dëgjua teksa i thërret Hasanit. Sa i përket mundësive, Jonuzi në minutën e 45’ tentoi nga distanca për Tiranën, ndërsa vetëm një minutë nga përfundimi i pjesës së parë, Salami për Kukësin kërkoi të bënte keq në portën e Ilion Likës, por pa ia dalë.
Në pjesën e dytë, dy skuadrat menduan se mund ta fitonin ndeshjen, pas matjes së forcave në 45 minutat e para. Vetëm se protagonist këtë herë u bë Hila në minutën e 52-të. Mesfushori i harruar në zonë pas një harkimi nga një goditje nga këndi nuk e kishte të vështirë të shënonte. Kukësi nuk hoqi dorë nga ndeshja dhe provoi të reagonte, Beshiraj në të 63-tën impenjoi Ilion Likën në atë tentativë me kokë, por 43-vjeçari reagoi mirë.
Mbrojtja është ndoshta pika ku Stavri Nica duhet të ndërhyjë shpejt, sepse pikërisht aty dështoi Kukësi që lejoi pësimin e golit të dytë. Latifi bën çtë dojë me mbrojtësit e Kukësit dhe në fund pason për Albi Dokën që shënon golin e dytë dhe të fitores. Avantazhi i dy golave bëri që bardheblutë të lëshonin terren dhe Beshiraj shënoi golin për Kukësin. Katër humbje radhazi për Kukësin, që bën nisjen më të keqe të sezonit në 11 vite radhazi në Superiore.