RTSH Sport Live

Historia e boksit dhe legjenda Muhamed Ali

  • 04/01/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Historia e boksit dhe legjenda Muhamed Ali
Bashkim Mërtiri sjell për lexuesit shqiptar librin kushtuar figurave të dorezave botërore

Historia e boksit dhe legjenda Muhamed Ali. Ky është libri me autor Bashkim Mërtirin, që të martën në mesditë është promovuar në një nga ambientet në kryeqytet, atje ku ishin mbledhur shumë figura të sportit në vend. Jo vetëm të boksit, por dhe të xhudos e të notit shqiptar. Por si lindi ideja për të risjellë në vëmendje të lexuesve shqiptarë figurën madhështore të Muhamed Aliut?

“Libri nuk është vetëm për Muhamed Ali, është një histori e përgjithshme për sportin e boksit. Boksi është një sport shumë i vjetër, shumë i lashtë, e të shkruash një histori për një sport është një ngjarje, event, bukuri, mision”.

Bashkim Mërtiri është mbi të gjitha komentator në televizionet shqiptare për boksin në veçanti, por dhe të sporteve të tjera rënda. Cila është ndjesia që ka lënë Muhamed Ali tek një komentator si Bashkim Mërtiri?

“Muhamed Ali është një figurë shumë e madhe, jo vetëm sportive. Është një figurë që e nderon e gjithë bota, janë shkruajtur mbi 120 libra për të”.

Madje Mërtiri tregon dhe numrin e komenteve që ka bërë për këtë figurë në transmetime të veçanta në Radio Televizionin Shqiptar.

“E kam komentuar disa herë, është bërë një program I gjatë ku janë trnsmetuar ndeshje të vjetra, që nga viti 1920 e këtej. Mund të kemë komentuar disa ndeshje më të rëndësishme të tij”.

A do të jetë ky libri i parë dhe i fundit, apo boksi në vend do të ketë edhe tekste të tjera pikërisht nga Mërtiri?

“Kjo mund të konsiderohet si pjesa e parë, sepse historia e boksit te ky libër mbyllet rreth viteve 1960 me Muhamed Ali. Është dhe një 50 vjeçar tjetër, i cili nuk është përshkruar”

Në fakt, boksi shqiptar është sporti më prodhimtar përsa i përket librave të shkruara. Tanimë pas Ramiz Rekës, Et’hem Ibrahimit dhe Jani Nanos shtohet dhe Bashkim Mërtiri me legjendën Muhamed Ali. Et’hem Ibrahimi, kryetari i shoqatës së veteranëve të boksit, shpjegon për RTSH Sport numrin kaq të madh të librave të shkruar nga sporti i dorezave.

“Boksi në Shqipëri ka filluar të zgjohet nga gjumi duke shkruar të kaluarën e këtij sporti, pasi sot nuk ka sport boksi që të ketë vijimësi. Prandaj neve, të gjithë shokët, i jemi vënë shkrimeve për historinë e boksit”.